Lidhje

Siri, intensifikohet dhuna në prag të votimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së


Siri, intensifikohet dhuna në prag të votimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së
Siri, intensifikohet dhuna në prag të votimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Aktivistë të të drejtave të njeriut thonë se forcat siriane të sigurimit kanë vratë të paktën 217 veta në qytetin e Homsit, ndërsa dhuna u shtua dje, ndërkohë që Këshilli i Sigurimit voton sot mbi projekt-rezolutën që synon t’i japë fund gjakderdhjes.

Dy grupet më të mëdha të opozitës, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Londër dhe Komiteti Lokal i Kordinimit thanë se numri i të vdekurve në Homs ishte mbi 200, mes tyre edhe shumë gra e fëmijë.

Njoftohet se forcat siriane kryen një seri sulmesh me mortaja dhe artileri kundër qytetit të Homsit, ku sipas aktivistëve të opozitës janë vrarë më shumë se 200 njerëz.

Video amatore, që thuhet se janë regjistruar në këtë qytet, tregojnë zjarrin që kishte përfshirë një shtëpi, ndërsa njerzit përpiqeshin të dëshpëruar ta shuanin atë.

Pamje të tjera tregonin skena kaotike me një numër të madh të plagosurish në lagjen Kaldijeh.
Associated Press nuk arriti të konfirmonte përmbajtjen, datën, vend-ndodhjen dhe vërtetësinë e videos amatore të publikuar në internet.

Banorët e zonave përreth kësaj lagjeje përshkuan natën me bombardime pa fund në atë që duket se ka qënë episodi më i përgjakshëm i kryengritjes gati 11 mujore në Siri. Më shumë se gjysma e të vrarëve të njoftuar, rreth 140, ishin në Kaldijeh. Qeveria siriane mohon të ketë ndërmarrë këtë sulm. Televizioni shtetror sirian njoftoi se ky sulm ishte pjesë e një "fushate histerike nxitëse nga grupe të armatosura" kundër Sirisë, me synimin për ta shfrytëzuar atë në takimin e Këshillit të Sigurimit.

Regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad ka intensifikuar sulmet kundër dezertorëve të ushtrisë dhe protestuesve. Kombet e Bashkuara thanë para disa javësh se mbi 5 mijë e 400 njerëz ishin vrarë nga dhuna në Siri që prej muajit mars. Qindra të tjerë janë vrarë që prej atij njoftimi.

XS
SM
MD
LG