Lidhje

Dyndje e refugjatëve kurdë nga Siria në Irak


Një fluks i papritur prej mijëra sirianësh kanë arritur në rajonin kurd të Irakut pas disa javë luftimesh mes kryengritësve islamistë dhe kurdëve në pjesën veriore të Sirisë.

Një gazetar i Shërbimit Kurd të Zërit të Amerikës në qytetin verior Dohuk të Irakut thotë se rreth 6 mijë kurdë të Sirisë kaluan urën mbi Lumin e Tigrit dhe u futën në rajonin e Kurdistanit. Ai thotë se të paktën 1 mijë vetë ende presin pranë kufirit për të kaluar nga Siria për në rajonin kurd të Irakut.

Në komentet dje në Gjenevë, zëdhënësi i Komisionerit të OKB-së për Refugjatët, Adrian Edwards thotë se fluksi i refugjatëve filloi me një grup prej 750 refugjatës që u futën në Peshkhabour në pjesën kurde të Irakut. Mijëra të tjerë erdhën më pas.

Pjesa më e madhe e refugjatëve të rinj janë gra, fëmijë dhe të moshuar. Kombet e Bashkuara thonë se agjencitë e ndihmave dhe autoritetet po punojnë për t’u sjellë ujë dhe ushqime.

Refugjatët po dynden për të kaluar kufirin në një kohë kur luftimet janë intensifikuar mes forcave kurde siriane dhe grupit Jabhat al-Nusra që ka lidhje me al-Kaidën dhe që lufton njëkohësisht kundër trupave besnike të Presidentit sirian President Bashar al-Assad.

Udhëheqësit kurdë në Irak dhe Siri po hetojnë njoftime të pakonfirmuara për masakrimin e kurdëve nga grupi al-Nusra. Kurdët e Sirisë janë përpjekur të mos implikohen në luftën civile në Siri.
XS
SM
MD
LG