Lidhje

Situata ekonomike në Kaliforni

  • Majkëll O'Sullivan

Situata ekonomike në Kaliforni

Situata ekonomike në Kaliforni

Recesioni ekonomik e goditi rëndë Kaliforninë në vitet 2008 – 2009, dhe pjesë të ekonomisë së saj kanë mbetur të rrënuara. Shkalla e papunësisë për këtë shtet, është thuajse 12 përqind, rreth 3 përqind më e lartë se mesatarja kombëtare. Gjithashtu tregu i shitblerjes së banesave mbetet ndër më të dobëtit në Shtetet e Bashkuara. Por duket se ka zona ku ka patur përmirësime ekonomike gjatë kësaj periudhe në Kaliforni, shteti më i populluar i Amerikës.

Ekonomia e Kalifornisë është ende një ekonomi e madhe - ndonëse recesioni ka ngadalësuar rritjen ekonomike. Nëse Kalifornia do të ishte një shtet më vehte, ai do të renditej si ekonomia e 8-të më e madhe në botë.

Tregu ndërkombëtar po reagon. Ai u rrit ndjeshëm vitin e kaluar. Ekonomistja Nensi Sidhu e Korporatës për Zhvillimin Ekonomik të Kontesë së Los Anxhelosit thotë se sektori i teknologjisë së lartë është në nivele të mira...

“Këtu ndikojnë aplikimet e reja të internetit, aplikimet e reja të telefonisë celulare, dhe natyrisht media sociale.... Kompanitë Apple apo Google, si dhe të tjerat nën shembullin e tyre, po punësojnë njerëz. Ata kërkojnë më të mirët e më të aftët”.

Shitjet me pakicë përbëjnë pjesërisht humbjet e shkaktuara nga recesioni, dhe disa konsumatorë u janë kthyer blerjeve. Por shitësi i mallrave më shumicë Liang Liang është i nbërthyer mes kostos së lartë e kërkesës në rënie. Ai thotë se importon zbukurime shtëpish dhe suvenire për turistët dhe se këto mallra ende nuk kanë shitje të mira, dhe se kostoja e bluzave prej pambuku është shtuar me rreth 25% që nga muaji janar.

“Për mua është ende një situatë jo e mirë”.

Punonjësit e përkohshëm po gjejnë punë dhe ata që sigurojnë shërbime profesionale, mes tyre avokatët dhe llogaritarët, kanë pasur më shumë sukses. Prodhimi i filmave është rritur, dhe ata që merren me industrinë e filmit po gjejnë punë.

Ky montazheir filmash që punon si kontraktor e që punon nga shtëpia, vendos efektet zanore nëpër filma të ndryshëm. Ai thotë se ky biznes është i mirë këtë vit.

Por bizneset e Kalifornisë përballen me probleme si autostradat e mbingarkuara, sistemi i vjetëruar i trenave, si dhe portet dhe aeroportet. Niveli i infrastrukturës së këtij shteti renditet ndër të fundit në Shtetet e Bashkuara, thotë ekonomistja Susan Trimbath, e cila punon për një studim kombëtar me Dhomën Amerikane të Tregëtisë.

Ajo thotë se prodhimet bujqësore - mes tyre frutat nga bregdeti perëndimor ose misri nga Nebraska- disa herë bëjnë rrugë dyfishe për të mbërritur tek konsumatori si pasojë e infrastrukturës së dobët.

“Produktet duhet të kalojnë nga fusha në kamiona e më pas në vagonat e trenave, ku zhvendosen drejt porteve. Në disa raste, ato përshkojnë rreth 500 deri 1000 milje në jug përpara se të nisen drejt veriut sepse ne nuk kemi një sistem të shumë llojshëm transporti, që do të lidhte të gjitha rrugët dhe format e transportit, sistem i nevojshë për të konkurruar në shkallë botërore”.

Analistët thonë se problemi më i madh i Kalifornisë është tregu i shitblerjes së shtëpive, i cili ndikon ndjeshëm tek e gjithë ekonomia e shtetit si pasojë ul të ardhurat nga taksat dhe dëmton qeverisjet lokale dhe shkollat.

Disa investitorë në Silikon Valley, po ia dalin mbanë dhe më shumë se 6 miliardë dollarë të ardhura të paparashikuara nga taksat do të ndihmojnë defiçitin e madh buxhetor të Kalifornisë. Ky shtet ende ka nevojë për rreth 10 miliardë dollarë për të përmbushur mungesat e tij buxhetore, ndërkohë që shumë mësues e punonjës të qeverisë përballen me humbjen e vendeve të punës.

Analistët e biznesit thonë se përtej kapërcimit të problemeve në afatin e shkurtër, Kalifornia duhet të zgjidhë problemet e saj afatgjata për të mbetur një shtet konkurrues në ekonominë amerikane dhe atë globale.

XS
SM
MD
LG