Lidhje

Soçi dhe historia e popullatës çerkeze

  • Henry Rdigewell

Ndërsa mijëra vizitorë argëtohen në garat e Lojrave Olimpike të Soçit, ekziston një debat në rritje lidhur me historinë e tokës, ku ato po zhvillohen. Henry Ridgwell i Zërit të Amerikës njofton nga Soçi se para 150 vjetësh Rusia dëboi me forcë popullatën vendase të këtij rajoni, një grup etnik mysliman të njohur me emrin çerkezë.

Balshoi Kiçmai duket sikur është mjaft larg pistave prej akulli të Parkut Olimpik, por në fakt është vetëm një orë me makinë nga Soçi po të udhëtosh nëpër rrugët malore me shumë kthesa.

90 për qind e banorëve janë çerkezë etnikë Shapsug, popullata myslimane vendase e Kaukazit verior.

Në muzeumin folklorik të fshatit, drejtori Aisa Achmizov kujdeset për zjarrin poshtë një kazani me supë. Ai flet me krenari rreth racës së tij.

“Fjala çerkez mund të përkthehet në kuptime të ndryshme, por këtu kjo fjalë ka veëm një kuptim: ushtar trim”, - thotë ai.

Vetëm pak fshtra si ky mbijetuan afër Soçit. Popullata çerkeze gati sa nuk u zhduk gjatë pushtimit rus të Kaukazit në vitet 1860-të.

Qindra mijëra u detyruan të largoheshin nga plazhet e Soçit me barka dhe deri një e treta e tyre u mbytën ose vdiqën nga urija. Xhorxhia e ka quajtur zyrtarisht gjenocid këtë dëbim.

Moska ka ofruar fare pak falje ose njohje të këtij dëbimi, duke zemëruar kështu miliona çerkezë në botë.

Në maj të këtij viti çerkezët do të shënojnë 150 vjetorin e mposhtjes së tyre nga forcat ruse. Por kryetari i Këshillit Qeverisës çerkez, Khalid Talif thotë se pak çerkezë në këtë fshat janë të jenë të interesuar t’i rikthehen historisë.

“Është fakt historik që çerkezët u mundën nga forcat ruse dhe u bënë pjesë e Rusisë, por tani nuk mund të gjesh ndonjë njeri këtu që dëshiron të shkëputet nga Rusia dhe të sigurojë pavarësinë”.

Javën e kaluar, udhëheqësi islamik çeçen, Doku Umarov foli për historinë e popullatës çerkeze dhe bëri thirrje për sulme terroriste kundër Olimpiadës së Soçit, duke thënë se qendrat e garave të olimpiadës u ndërtuan mbi kockat e myslimanëve të vdekur.
Aisa Achmizov thotë se këto ndjenja nuk kanë vend mes popullatës çerkeze.

“Nuk mund të gjesh një vend në botë ku nuk është derdhur gjak në histori. Olimpiada është një çështje që u takon politikanëve dhe jo neve”.

Në Parkun Olimpik, organizatorët kanë ndërtuar të ashtuquajturën ‘Shtëpia çerkeze" për të treguar kulturën e tyre. I pyetur nga Zëri i Amerikës në një konferencë shtypi rreth shqetësimeve të popullatës çerkeze, Kryetari i Bashkisë së Soçit, Anatoly Pakhomov dha një përgjigje të vendosur.

“Gushtin e kaluar, çerkezë nga e gjithë bota erdhën për një kuvend në Soçi dhe as edhe një person i vetëm nuk tha ndonjë gjë negative. Shumë vizitorë mendonin se çerkezët këtu jetojnë më mirë se ata nëpër botë. Pra çdo gjë që ju dini nuk është e saktë”.

Debati lidhur me fatin historik të çerkezëve në Soçi zhvillohet shumë larg këtyre luginave të largëta dhe nxitet kryesisht nga diaspora.

Çerkezët këtu duket se janë më shumë të interesuar për të ruajtur ekzistencën e tyre dhe për t'ua transmetuar kulturën e tyre brezave të ardhshëm.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG