Lidhje

Tensionet etnike në Sudanin e Jugut


Ndërkohë që Kombet e Bashkuara përgatiten të vendosin më shumë trupa paqeruajtëse në Sudanin e Jugut, dëshmitarët thonë se vendi po shkon drejt luftës civile. Konflikti politik mes Presidentit Salva Kiir dhe ish nënpresidentit të tij është acaruar në atë masë saqë mund të përçajë shtetin më të ri të botës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Hannah McNeish, njofton nga kryeqyteti i Sudanit të Jugut, Juba.

Kaosi në Sudanin e Jugut është i dukshëm në aeroportin e kryeqytetit Juba, ku njerëzit shtyhen me njeri tjetrin për të siguruar një vend në avion për t’u larguar nga vendi. Në rrugë është qetësi, por qidra metra më tej, në një një bazë të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara, 10 mijë njerëz janë strehuar për t’i shpëtuar dhunës që filloi para disa ditësh, por që u përhap në gjithë vendin si metastazat e kancerit.

Për Bang Teny-n, ajo që filloi si luftë politike në vendin më të ri të botës, është shndërruar në një tjetër luftë të brendëshme, në shtetin që ngriti flamurin e tij vetëm dy vjet më parë, pas dekadash të tëra lufte në Sudan.

Shkaku i konfliktit është rivaliteti mes dy grupeve kryesore etnike të vendit, Dinka dhe Nuer. Dhuna u përhap nga roja presidenciale tek shumë njësi të ushtrisë. Me një urdhër të shpejtë, njësitë e armatosura filluan të qëllojnë civilët në baza etnike.

“Incidenti nuk ka të bëjë me përkatësinë partiake, por me përkatësinë etnike. Unë erdha në kompleksin e Kombeve të Bashkuara para dy orësh nga frika për jetën. Njoh shumë njerëz, të cilët u rrëbyen për përkatësinë e tyre tribale, dhe nëse të rrëmbejnë, nuk do të shihesh më”.

Bang është gjysmë Dinka dhe gjysmë Nuer, por thotë se shenja që mban në ballë e identifikon atë si të përkatësisë Nuer. Shenjë përbëhet nga katër çarje të thella që tregojnë burrërimin e tij, por këto ditë ajo e bën atë dhe shumë të tjerë si ai në kryeqytetin Juba, objekt të forcave Dinka.

Në lagje të braktisura të qytetit, e vetmja shenjë jete janë ushqimet e lëna për gjysmë, karike të thyera dhe këpucët jashtë shtëpive prej balte, si dhe dyqanet e vogja që janë vjedhur dhe vandalizuar.

Banorët e kryeqytetit thonë se njerëz të armatosur, të shoqëruar me kamionë vijnë gjatë natës për të mbledhur trupat e të vdekurve.

I shtrirë në një dyshek gjithë baltë, Simon thotë se si dhe 250 veta të tjerë u morën një ditë në orën 8 të mbrëmjes. Ai thotë se ata u çuan në një ndërtesa të policisë në periferi dhe gjatë dy ditëve policët dhe ushtarët i qëllonin nga dritarja. Simoni thotë se ai është një nga 12 personat që u shpëtuan nga shërbimi i zbulimit kombëtar. Ai qendroi në heshtje të plotë megjithë plagët nga të shtënat, ndërsa ishte i rrethuar nga trupat e të vdekurve.

“Kisha një parandjenjë të keqe. Për të mbijetuar duhet të mbulohej me trupat e të vdekurve. Gjatë dy ditëve, trupat e njerëzve të vrarë vinin erë të keqe. Nuk mund të flas shumë për këtë”.

Në anën tjetër të bazës së Kombeve të Bashkuara, një burrë i quajtur Gatchuak po kurohej nga tri plagë plumbash në krah. Ai tha se ishte një tjetër prej të mbijetuarve në atë incident.

“Unë jam civil. Ne u kapëm në Gudele dhe nga rreth 275 vetë, mbetëm 12. Gjithë të tjerët u vranë”.

Para dy javësh, forcat e një nën klani Nuer hynë në një bazë të Kombeve të Bashkuara në shtetin Jonglei dhe vranë dy paqeruajtës, plagosën një tjetër dhe vranë të paktën 11 civilë Dinka.

Njësitë Nuer që luftojnë nën komandën e ushtarakëve që kanë dezertuar ose të udhëheqësve renegatë politikë janë në sulm dhe kanë marrë nën kontroll kryeqytetet e dy shteteve, duke i detyruar disa qindra mijëve njerëz të fshihen në pyll ose në bazat e Kombeve të Bashkuara.

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara po përqiqen të sigurojnë ndihma dhe mbrojtje, thotë shefi lokal i agjencisë, Toby Lanzer.

“Mendoj se disa njerëz nuk e kanë kuptuar ende se konflikti është shtrirë në të gjitha komunitetet. Të gjitha ato janë prekur dhe që të gjithë duhet të luajnë rolin e tyre për sigurinë e njerëzve”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi të martën për shtimin e forcave paqeruajtëve në 14 mijë vetë. Por nëse nuk arrihet një marrëveshje politike dhe nëse udhëheqësit nuk bëjnë thirrje për qetësi, shumë shpejt Sudani i Jugut mund të ndahet në linja etnike.
XS
SM
MD
LG