Lidhje

Spanjë: Qeveria paraqet paketë shpenzimesh


Kryeministri Rahoy thotë se do të kursehen 80 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2014.

Kryeministri i Spanjës njoftoi për një paketë shkurtimesh në shpenzime dhe taksa më të larta për të cilën ai thotë se do t’i kursejë vendit 80 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2014. Kryeministri Mariano Rajoy ia paraqiti planin ligjvënësve sot duke thënë se vendi është në një moment jetik dhe duhet të dalë nga kriza e buxhetit sa më shpejt të jetë e mundur.

Kryeministri Rahoy i paraqiti masat një ditë pasi mori miratimin e Bashkimit Evropian për një paketë masive shpëtimi. Ai tha se e ardhmja e Spanjës është në rrezik ndërsa përballon recesionin, defiçitin e lartë dhe shqetësimin e investitorëve për borxhin.

“Duhet të jemi realistë. Rruga e ngritjes së Evropën nuk ka qenë kurrë e lehtë. Kemi rënë dakord për strategjinë. Kemi rënë dakord se tani është koha. Por në të ardhmen do të shohim tensione, votime të vështira, deklarata të ashpra dhe shumë probleme. Por të paktën e kemi vendosur se ç’drejtim duam të marrim dhe që duam të marrim masa sa më shpejt të jetë e mundur”.

Paketa e shkurtimeve përfshin një rritje 3 për qind në taksën e shitjes për prodhime si veshje, makina, cigare dhe shërbime telefonike duke e çuar në 21 për qind dhe një rritje prej 2 për qind për shërbimet e transportit publik, ushqimet e përpunuara si edhe shërbinmet në bare dhe hotele deri në 10 për qind.

Paketa përfshin shkurtime në rrogat e punonjësve të shërbimeve publike dhe ndihmën sociale të të papunëve.

Ministrat e financave të Eurozonës ranë dakord dje t’i japin kohë Spanjës deri në vitin 2014 për të plotësuar kërkesat e defiçitit buxhetor dhe për t’i dhënë vendit një paketë prej 37 miliardë dollarësh për bankat në vështirësi të vendit.
XS
SM
MD
LG