Lidhje

Të mbijetuarit kujtojnë masakrën e Srebrenicës, të komanduar nga Mlladiçi


Të mbijetuarit kujtojnë masakrën e Srebrenicës, të komanduar nga Mlladiçi
Të mbijetuarit kujtojnë masakrën e Srebrenicës, të komanduar nga Mlladiçi

Pas një muaji, Ratko Mlladiç do të kthehet në Hagë. Ai akuzohet për krimet e kryera gjatë luftës së viteve 90-të në Bosnje. Një nga krimet më të rënda për të cilat ai akuzohet është vrasja e 8 mijë djemve dhe burrave myslimanë në Srebrenicë në ditët e fundit të luftës. Ata që i shpëtuan masakrës kujtojnë ditën kur forcat serbe hynë në enklavën që mbrohej nga Kombet e Bashkuara.

Pamjet filmike tmerruan botën, Ratko Mlladiçi i ngrysur i përkëdhel kokën një djali të ri mysliman, duke i thënë se ai dhe fëmijët e tjerë do të ishin të sigurt, dhe kjo pikërisht disa orë para vrasjes së 8 mijë burrave dhe djemve në Srebrenicën fqinje.

Ky djalë është Izudin Aliç tani në moshën 24 vjeçare. Ai kujton fare qartë atë ditë me diell kur takoi ish komandantin e serbëve të Bosnjes, i cili i dha një çokollatë dhe tani është para Gjykatës së Hagës, i akuzuar për genocid.

"Më kujtohet kur më dha çokollatën. Unë shkova atje sëbashku me fëmijë të tjerë dhe e mora atë çokollotë nga Ratko Mlladiçi”.

Nëna e tij, Fatima Aliç kujton gjithashtu atë ditë të frikëshme të vitit 1995.

"Ne po rrinim atje në asfalt, në Potoçari. Ata erdhën dhe filluan t’u jepnin diçka fëmijëve. Më kujtohet që ai po shpërndante bukë. Vjehri im shkoi atje dhe u përplas me një tjetër burrë për një copë bukë që t’ua sillte fëmijëve. Ai e rrëmbeu që fëmijët të kishin diçka për të ngrënë. Më pas ai u shpërndau çokollata fëmijëve. Nuk di shumë për çfarë ndodhi, pasi po kujdesesha për fëmijët. Ishim shumë njerëz dhe kisha frikë se ndonjë nga fëmijët mund të humbiste”.

Aliç punon tani në ndërtim dhe përgatit sanduiçe në një stendë të hapur.

"Jam i kënaqur që ai është arrestuar, ai duhej të ishte arrestuar prej kohësh. Nuk duhet të ishte lejuar të fshihej, duhet të ishte dorëzuar kohë më parë”.

Babai i Aliçit, Sahzeti, kishte ikur sëbashku me 15 mijë burra të tjerë nga Srebrenica, nëpër shtigjet malore dhe fushat e minuara, një natë para vizitës së Mlladiçit. Trupat serbe u vunë në ndjekje të tyre dhe i kapën.

Trupi i Sahzedit u gjet disa vjet më parë në një varr masiv. Familja e varrosi atë në qendrën përkujtimore të qytetit, ku janë varrosur mijëra viktima të Mlladiçit.

Aliç shkon shpesh tek varri i të atit dhe kujton njëkohësisht miqtë e tij që u shuan gjatë masakrës së Srebrenicës në ditët e fundit të luftës së viteve 1992-95.

Mevludin Oriç është kthyer për herë të parë në fushën ku u fsheh mes trupave të 8 mijë burrave dhe djemve të vrarë. Ai është një nga të paktët burra myslimanë që i shpëtuan ekzekutimit në masë.

Për disa orë ai qendroi i shtrirë mes trupave të njerëzve të familjes dhe miqve, në pritje të plumbit që do t’i merrte jetën.

I shoqëruar nga e bija, Merima, ai ka ardhur për të parë fushën e ekzekutimit që është kthyer në një livadh të bukur, të rrethuar nga pylli.

"Këtu kamionët sollën të burgosurit. Këtu na dhanë urdhër të zbrisnim dhe të viheshim në rresht për t’u ekzekutuar”.

Oriç ishte 25 vjeç kur forcat serbe nën komandën e Mlladiçit hynë në enklavën e Srebrenicës të mbrojtur nga Kombet e Bashkuara në korrik të vitit 1995.

Ai dhe një kushëri i tij u kapën kur po përpiqeshin të largoheshin nëpër pyjet e kontrolluara nga serbët. Ata ishin zënë për dore kur ushtarët serbë hapën zjarr. Oriç kujton se si kushëriri i tij u qëllua dhe trupi i tij e rrëzoi edhe atë përtokë e ra mbi të.

Në një moment, Oriçi pa një ushtar serb që po i afrohej. Ushtari u ndal dhe qëlloi një burrë në kokë, pastaj iu drejtua Oriçit që priste i ngrirë, por plumbi nuk erdhi kurrë. Ai qendroi atje i shtrirë mes trupave të mijëra burrave dhe djemve të masakruar myslimanë.

Mevludin Oriç do që gjithëkush të mësojë se çfarë ndodhi atë ditë dhe është zotuar se do të dëshmojë kundër Mlladiçit në Gjykatën e Hagës.

"Mezi pres fillimin e gjyqit për të parë në sy Mlladiçin, për të parë se çfarë lloj burri është ai. Çfarë lloj kafshe do të kishte vrarë kaq shumë njerëz të pafajshëm? Kjo tokë është e mbytur me gjak për shkak të urdhërave të tij. Dua t’i dal përballë në Hagë për t’i thënë të vërtetën. Vetëm ai dhe Hitleri kanë kryer krime të tilla, askush tjetër”.

Sead Bekriç është një tjetër i mbijetuar. Ai ishte 14 vjeç, kur u verbua nga zjarri i artilerisë serbe në oborrin e shkollës në Srebrenicë.

Bekriç është tani 32 vjeç dhe jeton në Florida. Fytyra e gjakosur dhe e gjymtuar e Bekriç-it u vu në kopertinën e revistës Newsweek dhe u shfaq në programet televizive si imazh ikonik i luftës.

"Kur dëgjova për arrestimin e Ratko Mlladiçit, në fakt u habita. Kisha menduar se ai nuk do të dilte kurrë para gjykatës ndërkombëtare. U habita edhe me faktin që ai nuk kishte atë rrjet mbështetës që ne kishim menduar se kishte”.

I verbuar për jetë, Bekriç e shikion veten si një nga ata pak fatlumë që shpëtuan, madje që ka fatin të kurohet në Shtetet e Bashkuara. Ai është po ashtu i kënaqur që më në fund Mlladiçi është kapur, por ende lufton me kujtimet e asaj që ndodhi me të dhe gratë e burrat nga vendi i tij.

Mlladiçi doli për herë para Gjykatës Ndërkombëtare më 3 qershor. Seanca tjetër e gjyqit është caktuar në 4 korrik.

XS
SM
MD
LG