Lidhje

Tregu i teknologjisë së lartë me çmime të ulëta


iPhone-ët janë bërë një simbol statusi në pjesën më të madhe të botës në zhvillim. Por çmimet e smartfonëve dhe formave të tjera elektronike, po bien ndërsa prodhimet kineze me çmim të ulët përhapen në tregjet e vendeve, ku këto mjete elektronike shiten zakonisht me çmime të larta. Ralph Jennings njofton për Zërin e Amerikës pas skenës së një ekspozite të madhe vjetore të teknologjisë në Taipei.

Smartfonët si iPhone, Blackberry dhe seria Galaxy e Samsungut janë shitur mirë për vite me radhë në tregjet e vendeve të zhvilluara dhe 875 milion pajisje të tjera pritet të hidhen në treg këtë vit.

Konsumatorët në vendet e zhvilluara mund të paguajnë më shumë se 500 dollarë për një pajisje me prekje ekrani. Por çmimet po bien, ndërsa shtohet furnizimi i tregjeve botërore me pajisje të tilla, duke motivuar prodhues të rinj që të provojnë tregjet. Kjo prirje pasohet me një qasje më të lehtë për konsumatorët në vendet në zhvillim.
Wilson Mao, analist me firmën e studimit të tregjeve TrendForce në Taipei, thotë se smartfonët më në fund mund të shiten për më pak se 100 dollarë. Ai thotë se pajisje të tilla do të prodhohen në Kinë.

“Smartfoni më i lirë do të shitet për 65 deri 70 dollarë. Kompani si Lenovo, Huawei and ZTE, mes prodhuesve të parë të smartfonëve në Kinë, do të furnizojnë tregjet, diçka që tashmë ka filluar në disa tregje botërore”.

Firma e studimit të tregut në Silicon Valley, IHS iSuppli parashikon që furnizimet me smartfonë të lirë do të arrijnë në 559 milion deri në vitin 2016, më shumë se dyfishi i vitit të kaluar. Këto pajisje të lira, që prodhohen kryesisht në Kinë, ka më shumë mundësi të vërshojnë tregjet më të afërta si India dhe Indonezia.

Konsumatorët në Taivan do të provojnë smartfonët më të fundit dhe tabelat javën e ardhshme. Smartfonët mjaft të mëdhenj që të duken si tabela, për shembull, dhe tabela mjaft të vogla për të konkuruar me smartfonët parashikohet të dalin së shpejti në ekspozitën e teknologjisë Computex në Taipei. Computex është një prej ekspozitave më të mëdha vjetore të teknologjisë në botë dhe do të bashkojë të paktën 1,700 pjesëmarrës deri në ditën e fundit të ekspozitës më 8 qershor.

C.K. Lu, analist i smartfonëve me kompaninë Gartner në Taipei, thotë se presioni i çmimeve do të prekë kryesisht prodhuesit me çmim të mesëm të smartfonëve gjatë 2 vjetëve të ardhshëm, ndërsa ata përpiqen të bëjnë një dallim nga telefonët me çmime më të ulëta.

Zoti Lu thotë se smartfonët që shiten për 150 dollarë ose më pak kanë një ekran me cilësi më të ulët dhe shpejtësi më të ulët se smartfonët më të shtrenjtë, por ata funksionojnë.

“Krijon presion tek telefonët me çmim të mesëm, duke i bërë ata shumë të ngjashëm me telefonët më të lirë pasi këta të fundit kryejnë funksionet e duhura dhe tërheqin ata konsumatorë, që nuk mund të përballojnë çmimin e një telefoni me çmim të mesëm”.

Disa analistë thonë se prodhuesit e pajisjeve të cilësisë së lartë, si për shembull Apple, më në fund do të prodhojnë pajisje më të lira për të konkuruar në tregjet me çmime më të ulëta. Zyrtarë të kompanisë Apple thonë se kjo kompani duhet të hedhë në treg një iPad të vogël brënda 3 vjetësh për qindra miliona përdorues.

Apple shet aktualisht një mini iPad për 329 dollarë, krahasuar me rreth 400 dollarë për një iPad 2 më të madh.
XS
SM
MD
LG