Lidhje

Teksas: një arrestim për trafikim seksi


Policia në shtetin e Teksasit ka arrestuar kryeshefin ekzekutiv të një faqeje reklamash në internet, Backpage.com dhe ka bastisur zyrat e kompanisë nën akuza për prostitucion dhe trafikim seksual. Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit Ken Paxton foli dje me gazetarët në Dallas:

“Këtë pasdite disa forca të bashkuara, duke përfshirë zyrën time, Departamentin e Drejtësisë së Kalifornisë, Zyrën e Prokurores së Përgjithshme të Kalifornisë, dhe oficerë federalë arrestuan kryeshefin ekzekutiv të kompanisë, dhe ekzekutuan një urdhër kërkimi në zyrat e saj në Dallas,” - tha Ken Paxton.

Kryeshefi ekzekutiv Carl Ferrer u arrestua sipas një urdhri arresti nga Kalifornia pasi ai mbërriti në Hjuston, Teksas, në një fluturim nga Amsterdami.

Prokurorja e Përgjithshme e Kalifornisë Kamala Harris akuzoi zotin Ferrer dhe partnerët e tij se kanë krijuar “bordellon më të madhe në internet” dhe se kanë ndihmuar kriminelët për të reklamuar prostituta.

Ajo akuzoi kompaninë Backpage se ka fituar miliona dollarë nga trafikimi dhe shfrytëzimi i viktimave të pambrojtura.

Backpage.com është përdorur kryesisht për të reklamuar prostituta, por edhe për të reklamuar shërbime dhe punë.

Raportet e burimeve të të ardhurave të marra nga zyra e Prokurores së Përgjithshme tregojnë se 99 për qind e të ardhurave të Backpage.com nga Janari i vitit 2013 deri në Mars të vitit 2015 ishin nga “reklama për prostitucion”. Gjatë kësaj kohe, kompania ka fituar rreth 51 milionë dollarë të ardhura vetëm në shtetin e Kalifornisë.

Akuzat erdhën pas një hetimi tre-vjeçar, gjatë të cilit Departamenti i Drejtësisë së Kalifornisë përdorori agjentë të fshehtë për të organizuar takime me njerëz të cilët reklamohen në seksionin e “shoqërimit” të faqes së internetit, për të konfirmuar se takimet ishin për prostitucion.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG