Lidhje

Thaçi: Jo strukturave të Serbisë në Kosovë


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i tha Zërit të Amerikës se pati një rast të mirë të paraqesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së arritjet e vendit të tij.

Në komentet që bëri menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, zoti Thaçi tha se nga të gjithë u përshëndet fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë dhe u dëshmua edhe një herë se Kosova si vend i pavarur e sovran, po prodhon më tepër paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike.





Zëri i Amerikës- Zoti Kryeministër, si e vlerësoni debatin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën?

Hashim Thaçi - Ishte një mundësi e mirë për Republikën e Kosovës, që të prezantojë arritjet që kemi pasur në këto muajt e fundit, janë arritje që janë vlerësuar nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare; ishte një veçanti e një rëndësie të veçantë sepse numri i njohjeve të Kosovës po rritet gjithnjë e më tepër, Kosova po konsolidohet e forcohet çdo ditë, më tepër se gjysma e anëtarëve të OKB-së e kanë njohur Republikën e Kosovës, nga të gjithë u përshëndet fillimi i normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve të Kosovës dhe Serbisë, arritjet ekonomike; gjithashtu duhet bërë më tepër për rend e ligj, por u dëshmua edhe një herë se Kosova si vend i pavarur e sovran, po prodhon më tepër paqe, stabilitet,bashkëpunim rajonal dhe perspektivë euroatlantike, ndaj dua të besoj fuqishëm se në të ardhmen jo të largët Kosova me këto hapa që është duke ndërrmarë, me reformat që është duke bërë, me normalizimin e marrëdhënieve dhe me ndërtimin e fqinjësisë së mirë edhe me Serbinë, do të lëvizë drejt perspektivës së sigurt europiane, drejt anëtarësmit në NATO, por edhe në organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës- Zoti Thaçi, zëvendës përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Rosemary di Carlo nxiti Prishtinën dhe Beogradin të arrijnë një marrëveshje në raundin e ardhshëm të bisedimeve më 2 prill.
A do të arrihet kjo marrëveshje në atë raund?

Hashim Thaçi - Ne kemi dëshmuar se jemi në rrugë të mirë për arritjen e marrëveshjes, jemi në rrugë të drejtë, ekziston vullneti për atë marrëveshje, natyrisht që nuk është e lehtë, Prishtina ka prezantuar ofertën e saj afirmative, për rend dhe ligj, për mundësi integruese për qytetarët serbë në veri, për sistemin e drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës, për domosdoshmërinë e shpejtë të shpërbërjes së plotë të të gjitha strukturave të sigurisë të instaluara në Kosovë nga Serbia, për ndalimin e plotë të financimit të tyre nga Serbia, e në të njëjtën kohë duke respektuar gjithmonë kushtetutën e Kosovës, ligjet e Kosovës, ligjin për vetqeverisjen lokale, standartet europiane, dokumentin e presidentit Ahtisari, ne kemi ofruar thjesht një mekanizm të quajtur Assosacion i Komunave me shumicë Serbe, që do të formohej si mundësi për serbët, për t’u integruar më tepër, por ai Assosacion në asnjë rrethanë të mos ketë as karakter legjislativ, as ekzekutiv, as të pushtetit të tretë dhe as të zgjedhjeve të drejtpërdrejta.

Zëri i Amerikës- Ndërkohë sot në Këshillin e Sigurimit kryeministri i Serbisë zoti Daçiç ka thënë se :"Beogradi nuk do të dorëzojë sovranitetin dhe nuk do të ndryshojë qëndrimin e tij se pavarësia e Kosovës është e papranueshme." Duket se pikëvështrimet tuaj janë ende larg, si do të arrihet një marrëveshje në 2 prill…?

Hashim Thaçi - Ne jemi mësuar duke dëgjuar deklarimet e zyrtarëve të Beogradit për Kosovën, që ende vazhdojnë të mbesin peng i së kaluarës, i politikës së vjetër, por realiteti është ndryshe.

Kosova është e pavarur, është sovrane, e njohur prej 100 shteteve, me perspektivë të sigurt europiane, perspektivë të sigurtë euroatlantike, me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare, pozicioni i Kosovës për normalizimin e marëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, është i njëjtë si pozicioni i Bashkimit Europian, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, tani mbetet e një rëndësie të veçantë arritja e kësaj marrëveshje. Unë dua të besoj se Serbia do të detyrohet për me lëviz drejt fqinjësisë së mirë, dhe do të detyrohet edhe prej bashkësisë ndërkombëtare që të heqë dorë nga politika e vjetër me Kosovën, e të fillojmë bashkëpunimin, partneritetin ndërshtetëror në vend të konfrontimit një shekullor që kemi pasur, pra deklarimet e zyrtarëve apo politikanëve të Serbisë janë deklarime të politikës ditore, ndërsa realiteti është krejt ndryshe.

Deri tani kemi arritur disa marrëveshje që në fakt e legalizojnë gjithë atë përkushtim tonin e në të njëjtën kohë është edhe konfirmim se Serbia gradualisht po e njeh shtetin e Kosovës se po njeh institucionet legjitime e demokratike të Kosovës.

Zëri i Amerikës- Mbledhja e sotme ndodhi dy ditë pas raundit të shtatë të bisedimeve ndërmjet jush dhe kryeministrit serb Ivica Daçiç. Ndërkohë në Kosovë dhe Serbi qarkullojnë zëra se ju tashmë jeni marrë vesh, ndërsa raundi i radhës vetëm sa do të formalizojë marrëveshjet. A jeni marrë vesh zoti Kryeministër?

Hashim Thaçi- Unë dua të theksoj fuqishëm dhe të prezantoj me transparencë të plotë siç e kam prezantuar çdo herë me raportimet e mija në kuvendin e Republikës së Kosovës, përpara gjithë qytetarëve të Kosovës se progres është shënuar, por marrëveshje nuk ka, presim që të ndodhë marrëveshja në 2 prill.

Kosova është e përgjegjëshme dhe do të jetë gati për marrëveshje duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e saj në kuadër të këtij procesi për normalizimin e marëdhënieve ndërshtetërore, por mbes me shpresë, i rezervuar gjithmonë që Serbia do të lëvizë drejt arritjes së një mirëkuptimi të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës e Serbisë, alternativë tjetër nuk ka dhe dialogu është e vetmja mundësi për të ardhmen e dy vendeve e dy popujve tanë.

Zëri i Amerikës- Zoti Kryeministër, ju prisni që në fund të bisedimeve të merrni datën për fillimin e negociatave për marrëveshjen e stabilizim asocimit. Por, njëkohësisht prej jush është kërkuar edhe forcimi i luftës kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit. Çfarë po bëhet në këtë kuadër?

Hashim Thaçi - Ne jemi duke punuar maksimalisht me faktorin ndërkombëtar në këtë drejtim.

Qeveria që udhëheq unë është qeveria që ka filluar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të gjitha dukurive të tjera negative. Natyrisht se pluralizmi politik ka edhe reagime, çfarë mund të jenë sot.

Por dua të theksoj se institucionet legjitime dhe demokratike duhet të vazhdojnë së funksionuara në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, në të njëjtën kohë të vazhdojmë bashkarisht me partnerët tanë ndërkombëtarë të punojmë me të gjithë potencialin që kemi.

Kosova tash e katërmbëdhjetë vite në fakt për sa i përket rendit dhe ligjit udhëhiqet prej ndërkombëtarëve në mandatin ekzekutiv. Gradualisht është duke e mbartur këtë autoritet tek vendorët dhe kjo luftë do të jetë e pakompromis me moton: Zero Tolerancë ndaj korrupsionit, ndaj krimit të organizuar dhe unë ftoj të gjithë partnerët tanë, gjithë spektrin politik, shoqërinë civile, mediat, t’i bashkangjiten kësaj përpjekjeje të qeverisë së Kosovës.

Jam i bindur se këtë betejë do ta fitojmë. Por në të njëjtën kohë edhe idetë dhe konceptet politike janë të mirëseardhura për ballafaqim, por gjithmonë duhet të kemi parasysh interesin e shtetit, duhet të kemi parasysh reformat evropiane që po i bëjmë bashkarisht.

Dhe Kosova është shembulli më i mirë i bashkëpunimit në mes të spektrit politik dhe shoqërisë civile. Kosova, për dallim nga vendet e tjera të rajonit, bashkëpunon shkëlqyeshëm si pozitë me opozitë bashkarisht për reformat elektorale, për perspektivën evropiane, për rendin dhe ligjin, për të ardhmen euroatlantike, për ndërtimin e një shoqërie shumetnike, për Kosovën si atdhe të përbashkët, prandaj jam optimist se gjërat do të lëvizin në drejtim të duhur, në drejtim të forcimit të rendit dhe ligjit, në drejtim të forcimit të qeverisjes së mirë, efektive, efikase dhe perspektivës së sigurtë demokratike dhe euroatlantike për Kosovën.
XS
SM
MD
LG