Lidhje

Tajlandë: Pikëllim dhe ankth pas vdekjes së mbretit


Vdekja e mbretit të Tajlandës, Bhumibol, i cili sundoi vendin për 70 vjet po shkakton shqetësim brenda dhe jashtë vendit ndërkohë që Tajlanda përballet me një të ardhme të pasigurt. Ka pikëpyetje të menjëhershme dhe afatgjata mbi gjendjen e monarkisë.

Hidhërimi, ankthi dhe pasiguria janë emocionet dominuese që kanë përfshirë tajalandezët brenda dhe jashtë vendit, në orët pas njoftimit se mbreti 88 vjeçar, Bhumibol Adulyatej kishte vdekur.

Kjo nuk duhet të ishte shokuese, pasi monarku tajalandez për shumë vite ishte me shëndet të dobët, dhe supozohej se pas grushtit të shtetit nga ushtria e vendit dy vjet e gjysmë më parë, ai do të do nxitohej për t’i dhënë fronin princit Vajiralongkorn.

Por kjo nuk ndodhi, kur asambleja kombëtare e zgjedhur nga junta ushtarake u mblodh me nxitim.

Kryeministri Prayuth Chan-ocha, i cili ishte shef i ushtrisë kur mori drejtimin e qeverisë në vitin 2014 pas grushtit të shtetit, thotë se trashëgimtari mbretëror nuk është gati:

"Ai kërkoi shtyerjen e ceremonisë së marrjes së fronit deri në një kohë më të përshtatshme në mënyrë që ai së bashku me gjithë vendin të mund të tregojnë respekt për babain e tij."

Gazetari Paul Handley, autor i një biografie të paautorizuar të mbreti të ndjerë, e cila është e ndaluar në Tajlandë, e quan këtë një lëvizje të habitshme dhe ndoshta të rrezikshme:

"Janë ngritur pikëpyetje dhe dyshime mbi atë nëse për këtë çështje po zhvillohen negociata. Dhe ne nuk e dimë se për çfarë po ndodh, por kjo nuk është një shenjë e mirë."

Trashëgimtari i fronit nuk ka mbështetje ashtu si babai i tij. Ai ka kaluar shumicën e kohës së tij në Gjermani, duke fituar një reputacion për një mënyrë jetese të hapur dhe të debatueshme.

Mbreti Bhumibol, nga ana tjetër, respektohej për vizitat e shpeshta që u bënte fermerëve dhe fshatarëve të varfër.

"Ata e dinë se pasardhësi i tij nuk mund të jetë një zëvendësues i denjë. Ata e dinë se Princi Vajiralongkorn pothuaj kurrë nuk ka marrë pjesë në misionet mbretërore të zhvillimit në rajone rurale siç ka bërë babai i tij."

Për momentin, në mesin e emigrantëve tajlandezë nuk ka një shfaqje të madhe të pikëllimit të përbashkët. Murgjit me të cilët bisedoi Zëri i Amerikës këtu në këtë tempull thonë se ata janë në pritje të udhëzimeve nga Bangkoku nëpërmjet ambasadës tajlandeze në Uashington. Vdekja e fundit e një mbreti të Tajlandës ka ndodhur para 70 vitesh dhe asnjë udhëheqës fetar i asaj kohe nuk është gjallë për ta shpjeguar tani protokollin.

XS
SM
MD
LG