Lidhje

Seri shpërthimesh në Tiranë


Eksploziv farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Një shpërthim i dytë në banesën e një oficeri policie. Pranë një stacioni autobusi gjendet një kallëp tritoli. Reagime dhe polemika politike. Komuniteti ndërkombëtar dënon shpërthimet

Farmacia në pronësi të babait të ministrit të Brendshëm ndodhet pranë qendrës spitalore universitare Nënë Tereza. Nga shpërthimi i ndodhur rreth orës 02.55 minuta të natës ajo është shkatërruar thuajse tërësisht, ndërsa dëme kanë pësuar dhe disa lokale të tjera ngjitur me të dhe mjete që ishin parkuar përballë. Ndërsa policia po kryente veprimet e para për ngjarjen, në të njejtën zonë pak më tej, rreth një orë më pas, u regjistrua shpërthimi i dytë. Këtë herë në katin e pestë të një pallati. Objektivi ishte banesa e një zyrtari policie, Alfred Numanit, ish shef i komisariatit numër 3 në Tiranë dhe aktualisht me detyrë pranë drejtorisë së policisë së Korcës. Nga shpërthimi nuk ka patur të plagosur, por këtu dëmet janë dhe më të dukshme edhe në apartamentet e tjera e në mjediset e përbashkëta. Mura të shkallëve të rëna, plasaritje të thella nëpër banesa e dyer të shkatërruara.

Seri shpërthimesh në Tiranë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:32 0:00

Dy orë më pas, nga një sinjalizim i disa kalimtarëve, policia ka gjetur në anën tjetër të qytetit, në një zonë mjaft të populluar të unazës, një kallëp tritoli, pak metra larg një stacioni autobusi. Ndonëse për ngjarjen nuk ka hollësi nga policia apo dhe prokuroria, ato duket të kenë qenë porositur nga e njëjta dorë. Edhe kallëpi i tritolit është gjetur në një zonë pranë shtëpisë së prindërve të ministrit Tahiri. Ky i fundit pati menjëherë një takim urgjent me drejtorin e Shërbimeve sekrete Visho Ajazi dhe kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Në një postim në Facebook gjatë ditës, kryeministri Edi Rama është shprehur për një “akt terrorist ndaj familjes së ministrit të Brendshëm, kafshim monstrash që kanë marrë, po marrin dhe do të marrin atë që meritojnë: Dorën e shtetit në fyt deri në frymën e tyre të fundit!”. Sipas zotit Rama “kush ka urdhëruar e ekzekutuar terrorin ndaj familjes së ministrit, duhet ta mësojë se sot i ka dhënë atij e të gjithëve ne, një motiv më shumë për të qenë krenarë e të frymëzuar në çdo qelizë, në kryerjen e detyrës së lartë në shërbim të vendit dhe njerëzve të këtij vendi!”, shkruan kryeministri.

Por për opozitën motivet duket se duhen kërkuar gjetiu. “Motivet janë të rëndësishme për të kuptuar lojërat dhe aleancat politike me krimin. E sigurtë është një pistë, se ky nuk është reagim i malavitës ngaqë ndjehet e frikësuar prej Tahirit. Prej ditës së parë të detyrës, edhe më parë madje kur u aktivizua në politikë, Tahiri është në një dyshim publik, për shkak se ka jo pak dëshmitarë të shoqërimit të tij me emrat më të njohur të krimit të organizuar në vend”., deklaroi kryetari i grupit demokrat Edi Paloka.

Kjo deklaratë shkaktoi reagimin e menjëhershëm të shumicës. “Me përgjegjësinë e qartë politike të një maxhorance popullore duam të përcjellim qartë një mesazh: NE NUK MUNDEMI!! As kjo frymë politike e as krimi i dalë dhe i mbështetur prej saj, nuk na mund dot!! Sot, mbështesim qartë dhe kërkojmë angazhim total të çdo shërbyesi të shtetit, polic i thjeshtë, drejtues në detyrë, hetues e strukturë operacionale, për të shumëfishuar goditjen pa kthim të krimit dhe pasurisë së tij”, nënvizoi nënkryetari i grupit socialist Erion Brace.

Ndaj ngjarjes reagoi me tone të forta pasdite edhe Ambasada amerikane në Tiranë. “Përdorimi i dhunës si mjet kanosjeje dhe trysnie është një akt burracak që minon demokracinë dhe nuk ka vend në Shqipërinë e sotme. Ambasada e SHBA është krenare të vazhdojë mbështetjen e saj afatgjatë për Ministrinë e Brendshme, Policinë dhe të tjera shërbime të sigurisë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të narkotikëve dhe korrupsionit”, shkruan përfaqësia diplomatike amerikane.

Edhe delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë, duke dënuar shpërthimet e sotme, nënvizon “mbështetjen e fuqishme për forcimin e shtetit ligjor, pa kompromis”. Delegacioni duket se i referohet edhe qëndrimit të opozitës ndërsa saktëson se “presim sjellje dhe ligjeratë të përgjegjshme nga të gjithë ata që marrin pjesë në jetën publike, sidomos për çështjet e shtetit ligjor, në funksion të interesave kombëtare të Shqipërisë”, mbyllet deklarata.

Në të njejtën linjë edhe prania e Osbe-së në Tiranë. “U bëjmë thirrje të gjitha forcave politike të shmangin politizimin e sulmeve të sotme dhe t’u japin autoriteteve përkatëse hapësirën për t’i hetuar plotësisht këto akte dhe për të identifikuar e vënë përpara drejtësisë përgjegjësit”, shprehet OSBE-ja në një deklaratë mbi ngjarjet.

XS
SM
MD
LG