Lidhje

Tiranë, Kolegji Zgjedhor rrëzon ankesën e Partisë Socialiste


Tiranë, Kolegji Zgjedhor rrëzon ankesën e Partisë Socialiste

Tiranë, Kolegji Zgjedhor rrëzon ankesën e Partisë Socialiste

Në Tiranë, Kolegji Zgjedhor pushoi çështjen mbi ankesën e Partisë Socialiste për zgjedhjet lokale të 8 majit për Bashkinë e Tiranës, duke lënë në fuqi vendimin e KQZ-së që nxjerr kandidatin Lulëzim Basha fitues të garës për Bashkinë e Tiranës.

Sipas vendimit të marrë nga KQZ-ja më 23 maj, kandidati i PD-së Lulzim Basha rezulton fitues me 81 vota më shumë se kandidati socialist Edi Rama.

Kolegji e nisi sot procesin gjyqësor të ngritur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Socialiste, e cila kërkonte që të njihej fitues për zgjedhjet vendore të Tiranës kandidati i saj Edi Rama. Ankesa e Partisë Socialiste bazohej në faktin se KQZ-ja vazhdoi numërimin e disa qindra votave të hedhura në kutitë e gabuara, të cilat e përmbysën rezultatin, duke nxjerrë fitues kandidatin tjetër Lulzim Basha.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u përfaqësua në seancë nga drejtoresha juridike, Dëshira Pasko, e cila tha se ankesa e Partisë Socialiste ishte e pasaktë dhe e padrejtë dhe se KQZ-ja i kishte të gjitha cilësitë për të qenë një komision zonal për Tiranën. Këtë funksion, tha zonja Pasko, KQZ-ja e ka kryer nga çasti kur regjistroi të dy kandidatët e Tiranës, Lulzim Basha dhe Edi Rama.

Në proces morën pjesë edhe juristë të Partisë Demokratike, si një palë e interesuar përderisa procesi zhvillohej mes PS-së dhe KQZ-së.

Ata këmbëngulën se numërimi që kishte vendosur KQZ-ja për votat e hedhura në kutitë e gabuara ishte i rregullt pasi këto vota nuk mund të ngeleshin pa u numëruar. Ata thanë se fakti që në Tiranë votimet bëheshin me katër kuti, me katër fletë me ngjyra të ndryshme, nuk mund t’i diskriminonte qytetarët e Tiranës, të cilët kishin hedhur vota të rregullta dhe vetëm kishin gabuar ngjyrën.

Sipas kodit zgjedhor, vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë të formës së prerë dhe të paapelueshëm.

XS
SM
MD
LG