Lidhje

Tiranë, opozita në protestë


Manifestimi kundër qeverisë për Cështjen Doshi. Kryetari demokrat Basha: Ne nuk ndalemi derisa Rama e Meta të largohen

Në Tiranë opozita zhvilloi sot një protestë në bulevardin qëndror të kryeqytetit për të kërkuar largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryetarit të parlamentit Ilir Meta, pas debateve të forta që ka shkaktuar prej disa ditësh cështja e deputetit Tom Doshi i cili ka akuzuar drejtpërdrejt zotin Meta si organizator i një plani për vrasjen e tij dhe të deputetit tjetër demokrat Mhill Fufi.

Protestë e opozitës në Tiranë
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:35 0:00

Një orë përpara se të niste protesta, përplasjet mbi këtë temë nisën që në hapje të punimeve të parlamentit, kur sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani kërkoi sërish dorëheqjen e zotit Meta. Përfaqësuesit e opozitës u grumbulluan rreth foltores së parlamentit, ndërsa deputetët e majtë miratuan me shpejtësi disa ndryshime të një ligji dhe ratifikuan dy marrëveshje duke mbyllur në një kohë rekord seancën. Një veprim që sipas opozitës ishte “dëshmi e frikës së shumicës ndaj manifestimit të qytetarëve”.

Pak pas orës 11.00 përkrahësit e opozitës ju drejtuan bulevardit qëndror. Kryetari demokrat Lulzim Basha u bashkua me ta pasi doli nga selia e partisë i shoqëruar nga një tjetër grup protestuesish, duke ecur në këmbë deri përpara selisë së Qeverisë dhe zyrave të parlamentit, ku ishte vendosur dhe skena nga ku drejtuesit demokrat ju drejtuan mbështetësve të tyre të grumbulluar nga qytete të ndryshme të vendit. Në fjalën e tij zoti Basha nënvizoi fillimisht situatën e rëndë ekonomike në të cilën sipas tij gjendet vendi, "varfërinë që thellohet dhe papunësinë që shtohet", tha ai. Më tej, ai përmendi “gjendjen problematike” të rendit dhe sigurisë, “tritoli e krimi që godasin cdo ditë. Nuk mund të ketë rend e siguri kur vjen në pushtet me krimin e qeveris me krimin”, deklaroi kreu i opozitës.

Lidhur me akuzat e deputetit Doshi ai u shpreh se kjo “është ngjarja më e rëndë e 25 viteve të fundit”. Zoti Basha tha se sot kërkesa është “Meta ik! Jep dorëheqjen, dhe përballu me akuzat. I kërkojmë Ramës, ndal trysninë ndaj Prokurorisë. Jep llogari para drejtësisë dhe të cojë ministrin e Brendshëm për ndjekje penale”. Ai akuzoi drejtuesit e shumicës se “për 6 muaj kanë mbajtur të fshehtë krimin, u përpoqën që t’ja faturojnë opozitës, 6 muaj të zhytur në krim, në zyrën e kryetarit të parlamentit, kryeministrit e ministrit të Brendshëm është bërë pazar me jetën e deputetëve”, u shpreh zoti Basha.

Ai theksoi se opozita është “e gatshme t’i dalë për zot me cdo mjet demokratik, vendit, fateve të shqiptarëve dhe demokracisë së cuar në buzët ë humnerës nga dyshja Rama – Meta. Eshtë koha e një zgjimi të vrullshëm e një kushtrimi të madh, për të zbritur pa dallim në rrugët e sheshet e protestës për të demonstruar sovranitetit e drejtpërdrejt ndaj një qeverie që ka devijuar nga rruga e ligjit. Ne nuk ndalemi derisa të ketë ligj e drejtësi, derisa krimi të mposhtet dhe qytetarët të kontrollojnë qeverinë dhe jo qeveria ata, derisa të shporrim të keqen, derisa Rama e Meta të largohen”, deklaroi zoti Basha.

Për manifestimin e sotëm policia kishte marrë masa të shumta, duke ushtruar kontrolle në akset rrugore që cojnë drejt kryeqyteti. Një numër i madh forcash dhe mjetesh, ishin vendosur dhe në zonën pranë qeverisë aty ku u zhvillua dhe mitingu, i cili kaloi pa asnjë incident.

XS
SM
MD
LG