Lidhje

Deputeti Tom Doshi publikoi një video me atentatorin e porositur


Deputeti i majtë Tom Doshi publikoi në mbrëmje një regjistrim video ku dëgjohet dobët një bisedë e tij me atentatorin e supozuar, që pretendohet se ka marrë porosi dhe pagesa për ta vrarë atë dhe deputetin e djathtë Mëhill Fufi. Gjatë 8 minutash e pak i riu Durim Bami, tashmë i ndaluar nga policia në përpjekje për t'u larguar nga Shqipëria, i tregon deputetit Doshi se si u organizua gjatë majit të kaluar një atentat kundër tij dhe se kush ishin njerëzit që e kërkuan atë akt.

Doshi dhe Bami bisedojnë të qetë para një kamera amatore, që qëndron larg tyre, mesa duket nga pamjet, e fshehur diku lart në mur. Video e publikuar në adresën e deputetit në facebook është pjesë e një materiali filmik mbi 30 minuta që Doshi ka thënë se e zotëron si provë nga ana e tij për të ndriçuar ngjarjet. Ai publikoi edhe disa foto ku shquhet ish-prokurori i krimeve të rënda Eugen Beci në shoqërinë e dy personave të tjerë në një lokal.

Më herët gjatë ditës ministri i punëve të brendshme Saimir Tahiri shpjegoi në një deklaratë të gjatë për shtypin takimet e tij dhe drejtuesve të policisë me deputetin Doshi, ku ai denonconte përpjekjet për t'i bërë atentat, duke ndryshuar herë pas here të dhënat, dhe duke mos pranuar asnjëherë dëshmi të rregullt me shkrim.

Ministri Tahiri përshkroi një seri takimesh me zotin Doshi nga 6 shtatori dhe deri aktualisht, ku u përmendën Agim Rama, Fatjon Skënderi, Agron Kuliçaj, Eugen Beci duke ndryshuar emrat e porositësve për atentat ndaj tij ndërsa atentatori i supozuar përkrah tij vetëm pohonte deklaratat e tij.

Ministri Tahiri tha se në të gjitha rastet deputetit Doshi iu kërkua të ndiqej procedura ligjore për të marrë dëshmi të rregullta në mënyrë që të kryheshin hetime të rregullta, por ai vazhdimisht nuk pranoi. Madje në një nga takimet e fundit tha se zotëronte edhe lëndën shpërthyese, që mund t'i vendosej në automjet, por nuk e ka dorëzuar policisë, as atë pamjet filmike që pretendonte se kishte.

Deklaratat e deputetti Tom Doshi trazuan jetën politike në kryeqytet. Përjashtimi i tij nga grupi i deputetëve socialist u mbështet nga diplomatët amerikanë dhe europianë. U largua nga detyra edhe prokurori i krimeve të rënda, ndërsa opozita kërkoi largimin e kryetarit të parlamentit.

Partitë dhe institucionet shtetërore trajtuan gjerësisht deklaratat e deputetit të majtë Tom Doshi, sipas të cilit, kryetari i parlamentit Ilir Meta ka porositur vrasjen e tij dhe një deputeti të opozitës. Deputetët e Partisë Demokratike braktisën komisionin parlamentar të ligjeve, duke kërkuar që puna në parlament të pezullohet, derisa të ndriçohen ngjarjet.

Ata pohuan se zoti Meta duhet t'u hapë rrugë hetimeve, duke dhënë dorëheqjen. Opozita ka dorëzuar edhe një mocion mosbesimi për të larguar kryetarin e parlamentit nga detyra.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG