Lidhje

Topi: Shqipërisë i duhet një president konsensual


Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, kritikoi dy partitë e mëdha politike për keqpërdorim të pushtetit të tyre dhe shkelje të ligjeve demokratike që kërkojnë ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve. Presidenti Topi tha që ndërsa njëra forcë politike i shkel ligjet demokratike dhe integritetin e institucioneve, opozita është duke fjetur gjumë dhe nuk i mbron institucionet që sulmohen.

“Opozita që e ka detyrë të përballojë këtë sfidë të demokracisë në Shqipëri për fat të keq është në gjumë. Problemet duhen trajtuar nga këndvështrimi i funksionimit të demokracisë dhe institucioneve. Pse njerëzit duhet të kënaqen kur sulmohen institucionet? Pse nuk ka kritika të drejtpërdrejta me kurajo, që të kthehet edhe një standard që duhet ta ketë një vend i sapodalë nga diktatura? Pse jemi mësuar, pse jemi ambjentuar duke ikur nga një diktaturë drejt simptomave të një diktature tjetër?” - tha zoti Topi.

Presidenti Topi tha se ai nuk do të kthehej në radhët e PD-së pas mbarimit të mandatit, por do të merrte pjesë në jetën politike të vendit. Ai hodhi poshtë njoftimet se është nismëtar i një partie të re, sepse edhe për disa muaj është president i vendit. Ndërsa lidhur me reformën në drejtësi ai kërkoi që partitë politike të nisin këtë reformë duke hequr imunitetet e deputetëve të tyre. Zoti Topi i bëri këto komente në televizionin Top Channel, gjatë një bisede kushtuar zgjedhjes së presidentit të ri, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe zhvillimeve të tjera politike. Ai deklaroi se presidenti i ri duhet të përfaqësojë të gjithë palët, dhe të mos vijë e t’i përkasë vetëm njërit krah të politikës.

“Qytetarët presin që presidenti të jetë simbol i unitetit të popullit. Në këndvështrimin tim, presidenti nuk duhet të jetë zgjedhje e një krahu politik. Unë jam për një president që zgjidhet në rrugë konsensuale; pra presidenti duhet t’i përfaqësojë të gjithë. Për këtë duhet që partitë politike të hyjnë në një proces dialogu” - tha ai.

Presidenti Topi nuk pranoi të komentonte disa nga emat që janë përmendur si kandidatë për postin e presidentit, ndërsa ai vetë ka bërë të ditur se nuk do të kandidaojë për një mandat të dytë. Nga ana tjetër ai tha se KLD do të vazhdojë procedurat për të zgjedhur nënkryetarin e ri, pa pritur që këtë ta kryejë presidenti i ri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG