Lidhje

Tiranë: Gjendja në burgje, dhuna dhe mbipopullimi


OSBE dhe Avokati i Popullit shprehën sot shqetësimin e tyre lidhur me mbipopullimin problematik në burgjet shqiptare, si një gjendje që kërcënon të drejtat e njeriut.

Edhe pse u hapën dy burgje të reja, mbipopullimi i burgjeve mbeti afro 25 për qind, thuhet në Raportin e Avokatit të Popullit për Parandalimin e Torturës për vitin 2015.

Zyrtarët pohuan se hapja e një burgu në Shkodër do ta zgjidhë problemin e mbipopullimit, por kjo mbetet për t'u parë.

Avokati i Popullit Igli Totozani thotë se gangrena e mbipopullimit në burgje ka ardhur si pasojë e një politike tepër të gabuar, ndryshimi i të cilës është kërkuar shpesh.

Dhe kjo, sipas tij, është vetëm një pjesë e vogël e shkeljes së të drejtave njerëzore në Shqipëri.

OSBE e ka ngritur si një shqetësim të veçantë trajtimin e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor, sepse sipas ligjeve vendase dhe atyre ndërkombëtare, ata duhet të mjekohen jashtë burgjeve.

Përfaqësuesi i OSBE-së, Robert Uilton thotë se mbipopullimi problematik i burgjeve është një çështje urgjente, një sfidë që mund të zgjidhet me një politikë të re penale, që synon parandalimin e krimit dhe ri-integrimit social të të dënuarve.

OSBE kërkoi madje ngritjen e një spitali të ri për personat me probleme të shëndetit mendor që kanë kryer krime.

Avokati i Popullit kërkoi mbylljen e burgut të Krujës, si institucion pa standarte, dhe raportoi dhunë, torturë e keqtrajtime në burgje, si dhe shkelje flagrante në trajtimin e personave me mjekim të detyruar.

Raporti i Avokatit të Popullit për Parandalimin e Torturës përfshin raste dhune dhe vështirësi të tjera në burgje, paraburgime dhe në komisariate policie, qendra të hapura apo të mbyllura dhe spitale psikiatrike.

Aty theksohet se ndodh shpesh që policët ndihmojnë njëri-tjetrin për të mbuluar veprimet e paligjshme të kolegëve,

Kur mbulojnë keqtrajtimet e të dënuarit, apo arrestuarit, theksohet në raport, ata duhet të kenë pengesa në karrierë, sepse dhuna dhe tortura janë shkelje të rënda të të drejtave njerëzore.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG