Lidhje

Australi: akuza për trajtimin e refugjatëve


Grupet për të drejtat e njeriut akuzojnë Australinë se ka lejuar abuzime të rënda të refugjatëve. Refugjatët janë deportuar në qendra për procesin e azilit politik në ishullin e vogël të Paqësorit, Nauru. Rreth dy mijë refugjatë nga Afganistani, Irani, Iraku, Somalia dhe vende të tjera janë dërguar atje pasi Australia arriti një marrëveshje me qeverinë Nauruane në vitin 2012.

Në një hetim të përbashkët, organizatat Amnesty International dhe Human Rights Watch i përshkruajnë kushtet në Nauru si çnjerëzore. Ata akuzojnë qeverinë australiane se ‘ka shkaktuar qëllimisht vuajtje tek njerëzit që kërkojnë siguri dhe liri’ - me sa duket me qëllim për të shkurajuar refugjatë të tjerë që përpiqen arrijnë në Australi me anije.

“Përpjekjet për vetëvrasjeje dhe vetë-lëndime janë një rutinë e përditshme në këtë ishull. Dhe deri tani, shërbimet mjekësore, ofruesit e shërbimeve këtu, dhe autoritetet e emigracionit nuk kanë arritur të bëjnë asgjë”.

Zëri i Amerikës bisedoi me azilkërkuesen “Nousha” nëpërmjet Skype-it, një rrezik i madh ky pasi celularët nuk lejohen në kampe. Ajo kërkoi që të ruhej anonimiteti dhe “Nousha” nuk është emri i saj i vërtetë.

“Në kampe, jetojmë në tenda, çadra të pista, dhe tani kemi shumë probleme me frymëmarrjen, si puna e alergjisë ose astmës. Të gjithë njerëzit kanë probleme mendore. Më parë isha më e fortë se miqtë e mi, por tani me të vërtetë jam çmendur këtu”.

Një refugjate tjetër i përshkroi kushtet si “vrasje e ngadaltë”.

“Vëzhgojmë se si fëmijët tanë përkeqësohen mendërisht dhe emocionalisht. Janë sjellë në një vend të pashpresë”.

Amnesty International thotë se autoritetet po refuzojnë të lejojnë refugjatët e sëmurë të largohen nga ishulli për trajtim në vende më të mira në Australi apo Papua Guinenë e Re.

Shërbimet shëndetsore në Nauru sigurohen nga një kontraktues privat të quajtur International Health and Medical Services - por hetimi nxorri në pah mangësi të mëdha.

“Ata kurrë nuk tregojnë rezultatet e vërteta të analizave. Sepse ata e dinë se çfarë problemi mund të kemi dhe pastaj ata nuk bëjnë asgjë”.

Nousha thotë se asnjë nuk del pas orës 7 të darkës se kanë frikë se mos sulmohen nga bandat lokale. Raporti akuzon policinë e Naurusë për injorim të krimeve kundër refugjatëve.

“Ata nuk i duan refugjatët. Na urrejnë, dhe nuk kanë ç’të bëjnë me ne. Nganjëherë ata sulmojnë njerëzit. Dhunojnë vajza dhe djem”.

Australia ka ndërmarrë një sërë politikash për të penguar refugjatët me përpjekjet e tyre për të arritur në vend me anije ose me skaf. Qeveria lëshoi këtë film në vitin 2012 me duke paralajmëruar deportime në Nauru.

Ministrat thonë se nuk ishin në dijeni të akuzave të bëra nga Amnesty International dhe Human Rights Watch, dhe nuk u ishin treguar ndonjë provë. Në të kaluarën, Australia ka mohuar përgjegjësi për keqtrajtimin e refugjatëve, dhe thotë se është Nauruja që zotëron dhe drejton qendrën për azil politik. Qeveria Nauruane nuk i është përgjigjur kërkesave për koment.

XS
SM
MD
LG