Lidhje

Marrëveshjet tregtare amerikane ndeshin pasiguri në Kongres


Disa marrëveshje të mëdha tregtare mes Uashingtonit dhe partnerëve të tij në Azi dhe Evropë ndeshin në një të ardhme të pasigurt në Kongres. Ndërsa zyrtarët amerikanë po punojnë për marrëveshje me vende të tjera, Kongresi debaton se çfarë duhet përfshirë dhe si duhen miratuar ato. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Randle, na sjell hollësi.

Përkrahësit e tregtisë shpresojnë që Kongresi të bjerë dakord për një sërë objektivash për negociatat e tregtisë dhe t’u hapë rrugën diplomatëve të merren me vendet e tjera për të realizuar qëllimet.

Në bazë të Autoritet të Posaçëm për Nxitjen e Tregtisë, të njohur si “rruga e shpejtë” për marrëveshjet komplekse, Kongresi mund të votojë po ose jo, por nuk mund të bëjë shtojca në traktatin përfundimtar.

Kjo është mënyra e duhur për anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Charles Boustany, i cili mbështet marrëveshjet tregtare.

“Ajo që unë nuk dua të ndodhë është që 435 anëtarët e Dhomës dhe 100 senatorët të përpiqen të negociojnë marrëveshje të ndryshme tregtare”.

Udhëheqësit kryesorë të komisioneve në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat thuhet se kanë rënë dakord në vija të përgjithëshme për Autoritetin e Nxitjes së Tregtisë, ose TPA. Ata duan të paraqesin një rezolutë dy partiake në të dy dhomat e Kongresit këtë fillim viti, por ato po ndeshin në kundërshime të forta.

Uashingtoni po negocion me vende të tjera lidhur me disa marrëveshje, përfshirë Partneritetin Ndërpaqësor me 11 vende të Paqësorit. Një tjetër marrëveshje është ajo me Bashkimin Evropian, e quajtur Partneriteti i Tregtisë dhe Investimeve Transatlantike.

Senatori Jeff Flake thotë se marrëveshjet tregtare mund të sjellin rritje ekonomike dhe vende pune në Shtetet e Bashkuara.

“Pa rinovimin e Autoritetit për Nxitjen e Tregtisë, është vështirë të parashikohet një skenar i besueshëm, ku ne të jemi pjesë e këtyre marrëveshjeve tregtare kur ato të përfundojnë”.

Përkrahësit thonë se heqja e pengesave për tregtinë sjell shtimin e mallrave dhe shërbimeve ndërkufitare, rrit kërkesën dhe hap vende të reja pune.

Marrëveshjet e mëparëshme kanë ulur tarifat, por marrëveshjet e reja synojnë të shkojnë edhe më tej, duke zgjidhur mosmarrëveshjet për rregullat që e bëjnë të vështirë prodhimin në një vend dhe shitjen e artikujve në një vend tjetër.

Për shembull, prodhuesit amerikanë të mishit të shpendëve ankohen se ndryshimi i rregullave evropiane ka penguar hedhjen në tregjet evropiane të prodhimeve të tyre prej miliarda dollarësh për 17 vjet radhazi. Ata shpresojnë se një marrëveshje e re do të njësonte rregullat, në mënyrë që ata të shesin më shumë.

Kritikët thonë se negociatat për tregtinë përfshinë disa nga organizatat amerikane të punës, mjedisit dhe konsumatorëve. Lori Wallach është zëdhënëse e grupit Qytetarët Publikë dhe thotë se rregullat e ndryshme mbrojnë shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve, sistemin financiar, njerëzit që përdorin ilaçe me recerë dhe të tjerët.

Ajo thotë se ndryshimi i rregullave të shëndetit dhe sigurisë është një punë për debat të hapur në Kongres dhe jo negociata të fshehta apo marrëveshje tregtare.

“Kjo nuk është aspak një mënyrë demokratike për marrjen e vendimeve që do të prek jetën e të gjithë neve”.

Wallach thotë se negociatorët amerikanë duhet të bëjnë më shumë për të penguar partnerët tregtarë që të manipulojnë vlerën e monedhave për t’u dhënë mallarave të tyre një avantazh të padrejtë çmimesh në tregjet ndërkombëtare.

Ajo thotë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë arritur marrëveshje tregtare nëpëmjet “rrugës së shpejtë” gjatë pjesës më të madhe të historisë së tyre dhe mund ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen, nëse janë të hapur për analizat publike.
XS
SM
MD
LG