Lidhje

Trump kërkon falje për komentet vulgare


Kandidati presidencial republikan Donald Trump kërkoi ndjesë të premten pas publikimit të një videoje, që e tregon atë duke bërë komente të turpshme për gratë në vitin 2005. Komentet kanë zemëruar disa zyrtarë të lartë të Partisë Republikane.

Në një deklaratë, zoti Trump tha: "Kërkoj falje nëse dikush është fyer". Deklarata erdhi pas një artikulli të gazetës Washington Post, që kishte gjetur videon e zotit Trump, në të cilën ai flet me gazetarin e programit të përjavshëm televiziv "Access Hollywood”, Billy Bush.

Në video, zoti Trump flet privatisht me gazetarin e televizionit në një autobus, ku ndodhen pak njerëz të tjerë. Ai ka në xhaketë një mikrofon të hapur në përgatitje për një intervistë të serialit "Ditë të jetës sonë”.

Në video, zoti Trump thotë për gratë: "Ju e dini që mua vetvetiu më tërheqin të bukurat dhe unë menjëherë filloj t’i puth. Është si një manjet. I puth ato dhe nuk pres fare”.

"Dhe, kur je yll, ato të lejojnë ta bësh”, thotë Trump. “Mund t’u bësh çfarë të duash”.

Zoti Trump flet pastaj për gratë me fjalë të tjera vulgare dhe me përmbajtje seksuale.

Në deklaratën e tij, zoti Trump tha: "Kjo ishte një bisedë thjesht spontane që ndodhi shumë vite më parë. Bill Clinton ka folur me fjalë shumë më vulgare me mua dikur në fushën e golfit. As që ka të krahasuar”.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Pol Rajën, tha se ishte i neveritur nga ajo që kishte dëgjuar dhe se kandidati republikan nuk do të marrë pjesë në një konferencë të partisë të shtunën, ku ishte planifikuar të fliste.

Edhe republikanë të tjerë të lartë, si kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Reince Priebus, i dënuan komnentet.

Ngjarja ka bërë jehonë në median sociale, duke u kthyer në armën më të fuqishme që ka patur në dorë deri tani Partia Demokrate për të bindur gratë e pavendosura dhe votues të tjerë që të mbështesin zonjën Clinton.

XS
SM
MD
LG