Lidhje

Donald Trump dhe votuesit hispanikë


Komentet ofenduese të Donald Trumpit ndaj disa imigrantëve meksikanë e kanë zemëruar komunitetin e hispanikëve dhe latinove në Shtetet e Bashkuara. Por gjatë një vizite të enjten në Teksas, manjati i pasurive të patundshme të Nju Jorkut dhe njëri prej kandidatëve presidencialë të Partisë Republikane, tha se media i ka keqintrepretuar komentet e tij, për të cilat ai tha se drejtoheshin ndaj imigracionit të paligjshëm.

Zoti Trump u bë bë objekt kritikash ngaqë i quajti imigrantët e paligjshëm meksikanë "elementë kriminalë", kur ai njoftoi muajin e kaluar kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale. Kur shkoi të enjten në qytetin kufitar Laredo, në Teksas, ai i tha gazetarëve se atë e mbështesin një numër i madh votuesish hispanikë:

"Unë punësoj me mijëra hispanikë. Më pëlqejnë shumë latinot. I dua ata shumë, sepse janë njerëz punëtorë. Ata janë fantastikë, por njerëzit që punojnë duan imigracion të ligjshëm. Ata duan të jenë me dokumente, nuk duan imigracionin e paligjshëm, që shoqërohet me krime të shumta."

Laredo ndodhet në kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën dhe e ka 95 për qind të popullsisë hispanike dhe latino. Shumë banorë lokalë erdhën në takim për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj kandidaturës së zotit Trump:

"Ju bëj thirrje ta përdorni të drejtën e votës, në mënyrë që të reflektojë dinjitetin tonë, respektin për dikë që vlerëson kontributin e meksikano-amerikanëve në vendin tonë të bukur", - tha një banore.

Fushata prej një kohe të shkurtër e zotit Trump është shoqëruar me komente fyese që kanë ofenduar edhe vetë republikanët:

Senatori republikan Lindsey Graham:

"Në se do të zgjidhnim atë, ky do të ishte fundi i Partisë Republikane."

Megjithë retorikën e shfrenuar, anketat tregojnë se biznesmeni miliarder kryeson me një diferencë të madhe rivalët e tij në garën republikane. Analistët thonë se një arsye është ngaqë votuesit janë lodhur me politikanët që përdorin një gjuhë të zbutur, pa transmetuar dot mesazhe. Por shumë thonë se stili ofendues i zotit Trump nuk do ta sjellë atë dot në Shtëpinë e Bardhë.

"Në shumë drejtime, ai ka sjellë diçka të re në fushatë. Në anën tjetër, ai është personi që ka ndoshta cilësitë më negative të çdo kandidati tjetër presidencial, sepse është një person i papredikueshëm,"- thotë analsiti Faulkner.

Donald Trumpin e ftuan në Laredo një grup lokal i patrullimit kufitar, por ftesa u tërhoq në momentin e fundit. Zyrtarët e fushatës së tij fajësuan për këtë udhëheqësit e sindikatës.

((Zlatica Hoke, VOA News, Washington))

XS
SM
MD
LG