Lidhje

Presidenti Trump shmang darkën e korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump tha të shtunën se nuk do të marrë pjesë në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, duke shmangur mundësinë që vihej në shënjestër të shakave të mprehta gjatë ceremonisë së përvitshme.

Hera e fundit kur një president nuk ishte i pranishëm në këtë darke, ishte para 36 vjetësh kur Ronald Reagan nuk mori pjesë, pasi po merrte veten pas një atentati ndaj tij në vitin 1981. Megjithatë ai e mbajti fjalën e tij përmes një telefonate.

Presidenti Trump e bëri të ditur vendimin e tij në Twitter, ku shkruajti “Unë nuk do të marr pjesë në darkën e këtij viti të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. I uroj të gjithëve një mbrëmje të këndshme dhe gjithë të mirat”!

Zoti Trump ka marrë pjesë shpesh në këtë ngjarje, por jo vitin e kaluar.

Në një moment gjatë fjalimit plot shaka të ish presidentit Obama në darkën e vitit të kaluar, ai pyeti pse zoti Trump nuk kishte shkuar.

“Dhe kjo është e habitshme. Kemi një dhomë plot me reporterë, njerëz të famshëm, kamera, dhe ai thotë jo. Mos është një darkë pa shije për të? Çfarë mund të jetë duke bërë në vend të kësaj? Mos është në shtëpi duke ngrënë një biftek “Trump”, duke i shkruar fyerje në Twitter Angela Merkel-it? Çfarë po bën ai”? tha ish-presidenti Barack Obama.

Darka vjetore përfshin politikanë, gazetarë, njerëz të famshëm, dhe zakonisht edhe presidentin dhe zonjën e parë.

Presidenti Trump ka kohë që ka patur një marrëdhënie konfliktuale me shtypin. Që prej marrjes së detyrës, megjithatë, ai i ka rritur kritikat e tij duke akuzuar disa gazeta dhe rrjete të famshme se ata publikojnë “lajme të rreme” dhe duke i quajtur ata “armiq të popullit amerikan”.

XS
SM
MD
LG