Lidhje

Ligji kundër terrorizmit në Turqi


Paketa e reformave demokratike e kryeministrit turk Rexhep Tajip Erdogan po përballet me kritika pas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë se 20 mijë njerëz janë dënuar sipas ligjit kundër terrorizmit në vend gjatë katër viteve të fundit, 8 mijë prej të cilëve janë burgosur vetëm në 12 muajt e fundit. Shumica e tyre, përfshi gazetarë dhe anëtarë të partisë së ligjshme kurde, u burgosën për vepra jo-të dhunshme.

Ligji kundër terrorizmit në Turqi po përballet me kritika kombëtare dhe ndërkombëtare në rritje. Ligji u parashtrua në vitin 1991 për të goditur lëvizjen separatist nga Partia Punëtorët e Kurdistanit apo PKK. Por shqetësimet janë shtuar për ligjin që po përdoret gjerësisht për të vënë në shënjestër kritikët e qeverisë.

Emma Sinclair Webb, hulumtuese për Turqinë në organizatën Human Rights Watch, thotë se ka patur një rritje alarmuese të përdorimit të ligjit anti-terror.

"Sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, në katër vitet e fundit një mori njerëzish – gati 40,000 – janë ndjekur penalisht për anëtarësim në organizata të armatosura, dhe gjysma e tyre kanë marrë dënime sipas ligjit. Tani ligji aplikohet në mënyrë disproporcionale ndaj kurdëve në Turqi, por ai aplikohet gjithashtu ndaj grupeve të tjera: kundër të majtëve, gazetarëve, studentëve, për aktivitete që nuk mund të cilësohen asnjëherë si akte terroriste. "

Dështimi për të reformuar ligjin në paketën demokratike të paraqitur nga qeveria muajin e kaluar, u kritikua si brenda edhe jashtë vendit. Richard Howitt, anëtar britanik në komisionin për të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, tha se qeveria turke kishte humbur një “mundësi të rëndësishme” për të ndryshuar ligjin kundër terrorizmit. Këto shqetësime shtohen, kur ligji kundër terrorizmit përdoret tani kundër atyre të përfshirë në protestat anti qeveritare qershorin e kaluar. Raporti vjetor i Bashkimit Evropian për progresin i publikuar së fundmi kritikon Turqinë për lirinë e shprehjes dhe grumbullimeve, dhe bën thirrje për reforma në drejtësi.

Duke paraqitur paketën demokratike, kryeministri Erdogan heshturazi pranoi mangësitë duke pohuar nevojën për refoma të mëtejshme.

Këto reforma nuk do të jenë të fundit dhe do të ketë reforma të tjera që do të përmirësojnë larminë dhe demokracinë në Turqi, tha zoti Erdogan. Ai shtoi se partitë opozitare po përpiqen të shfrytëzojnë ndjeshmëritë dhe frikën e njerëzve për reformat.

Vëzhguesit thonë se ndjeshmëritë popullore janë veçanërisht të rëndësishme për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale që do të zhvillohen pas 18 muajsh.

Imazhi i të dobtit në luftën kundër terrorizmit nuk ka të ngjarë të fitojë vota për partinë AK në pushtet, thotë Cengiz Aktar, analist politik dhe gazetar për gazetën turke Taraf.

"Kryeministri ashtu si çdo politikan tjetër kërkon të qëndrojë në pushtet. Ai mendon se mbështetësit e vetëm nga mund të fitojë vota janë votuesit nacionalist turq."

Sipas grupeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ligji anti-terror është arsyeja përse Turqia është vendi ku burgosen më shumë gazetarë. Fituesi i cmimit në gazetari, Ahmet Şık, i cili përballet me 15 vjet burg sipas ligjit, thotë se ai është një kërcënim për demokracinë në Turqi.

Jetojmë në një kohë kur studentët që kërkojnë arsim falas u vihet damka si terroristë, thotë zoti Sik, duke shtuar se gazetarët shihen gjithashtu si terroristë. Ka një regjim shtypës thotë ai: kushdo që ngre zërin në kundërshtim mund të burgosen në akuza për terrorizëm.

Qeveria e ka kundërshtuar këtë lloj kritike, duke këmbëngulur se po parashtron reforma të papara demokratike gjatë 10 vjetëve në pushtet. Por vëzhguesit paralajmërojnë se zërat e gazetarëve si Sik, që mbajtën fjalim para Parlamentit Evropian vitin e kaluar, pritet t’i bëjnë presion drejtuesve të BE-së muajin e ardhshëm, kur ata pritet të vendosin në se do të vendosin apo jo Turqinë në rrugën e anëtarësimit.
XS
SM
MD
LG