Lidhje

Turqia liron 10 politikanë pro-kurdë


Ata ishin akuzuar se kishin lidhje me grupin e jashtëligjshëm Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK

Një gjykatë turke liroi 10 politikanë pro-kurdë të akuzuar se kishin lidhje me grupin e jashtëligjshëm Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Politikanët u liruan sot nga një gjykatë në qytetin juglindor të Dijarbakirit. Arsyeja për lirimin e tyre nuk është bërë e ditur, por Agjencia Franceze e Lajmeve citon zyrtarë të gjykatave të kenë thënë se vendimi është marrë për arsye se koha e kaluar në paraburgim kishte tejkaluar çdo afat burgimi që mund të jepej.

Të 10 politikanët ishin mes mijëra të burgosurve që në vitin 2009 u ndaluan nën akuzat e përfshirjes në grupin politik të lidhur me PKK-në, Bashkimi i Komuniteteve të Kurdistanit.

Qeveria turke po zhvillon bisedime me udhëheqësin e burgosur të PKK-së Abdullah Oçalan, në një përpjekje për t'i dhënë fund kryengritjes 28-vjeçare të kurdëve. Qindra të burgosur të tjerë kurdë pritet të lirohen pasi parlamenti të miratojë një kod të ri penal, i cili do të përshtasë legjislacionin e kundër-terrorizmit në përputhje me standardet evropiane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG