Lidhje

Turqia miraton kontrolle të internetit


Parlamenti i Turqisë miratoi lehtësisht një projektligj që do të forconte kontrollin e qeverisë mbi internetin. Në se merr miratimin përfundimtar, propozimi do t’u kërkonte kompanive që japin shërbime interneti të vënë në dispozicion të qeverisë të dhënat e përdorimit deri në dy vjet.
Me ngritje dore, ligjvënësit turq miratuan mbrëmë një projektligj që lejon autoritetin e telekomunikacioneve të Turqisë të mund të bllokojë faqe interneti për shkelje të privatësisë pa një vendim paraprak të gjykatës.
Ky legjislacion, pjesë e një serie prej 125 artikujsh apo nenesh të një ligji që trajton çështje të ndryshme, detyron gjithashtu ofruesit e shërbimit të internetit të regjistrojnë dhe ruajnë të dhëna mbi aktivitetet e përdoruesve për dy vjet dhe t’i vënë ato në dispozicion të autoriteteve kur u kërkohet, pa njoftuar përdoruesit e internetit.
Ofruesve të shërbimeve të internetit do t’u duhet të jenë pjesë e një "shoqate të internetit" nën kontrollin e qeverisë. Qeveria hedh poshtë akuzat për censurë, duke thënë se projektligji ka për qëllim të mbrojë privatësinë e njerëzve.
Një banor i qytetit më të madh të Turqisë, Stambollit, tha se legjislacioni është i dëmshëm për imazhin e vendit.
"Po dëmton reputacionin e Turqisë, nëse e shohim nga një perspektivë ndërkombëtare. Turqia po bëhet një vend më shtypës, liritë e popullit turk po kufizohen," tha Burak Orhan.
Verën e kaluar disa protesta anti-qeveritare u organizuan kryesisht në internet dhe njerëzit përdornin mediat sociale si Facebooku dhe Twitteri për lajme mbi tubimet, pasi shumica e mediave tradicionale fillimisht nuk po i mbulonin protestat. Në atë kohë, Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan e quajti Twitterin një "kërcënim" social.
Google tha muajin e kaluar se Turqia ishte në krye të listës së vendeve që i kishin kërkuar kompanisë të hiqte materiale nga interneti.
Sot pritet që pjesa tjetër e paketës së legjislacionit të miratohet nga Parlamenti dhe të nënshkruhet në ligj nga presidenti Abdullah Gul.
XS
SM
MD
LG