Lidhje

Viktimat e dhunës policore në Turqi


Turkey blast
Turkey blast
Ndërsa shumica e vendeve të botës kanë një numër telefoni për të kontaktuar policinë në raste emergjente, një linjë telefonike emergjente është krijuar në Stamboll për viktimat e dhunës policore. Bashkimi Evropian ka përshëndetur qeverinë turke për marrjen e masave për parandalimin e torturës nga policia, por ndërkohë po shtohen shqetësimet se këto reforma nuk po zbatohen si duhet. Korrespondenti I Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Avokati Taylan Tanay po i përgjigjet një thirrjeje telefonike rreth dhunës policore në qytet. Nisma e quajtur "Ndihmë nga Policia" ofron shërbim ligjor falas për viktimat e dhunës policore. Në raste emergjente, një avokat shkon menjëherë në vendin e ngjarjes. Zoti Tanay thotë se linja e posaçme telefonike u hap nga Shoqata e Avokatëve Përparimtarë në përgjigje të një sërë incidentesh të dhunës policore që shkaktuan bujë në Stamboll.

“Avokatët në Turqi janë në dijeni të dhunës që përforin forcat e rendit. Ata kanë qënë gjithnjë në dijeni të abuzimeve në burgje dhe në rajonet e policisë, por tani janë shtuar sulmet kundër njerëzve nëpër rrugë”.

Kjo regjistrim është bërë me telefon celular qershorin e kaluar. Policët janë duke rrahur një burrë në sytë e familjes së tij në një mënyrë tepër të rëndë. Ky incident që hedh dritë mbi dhunën policore, u bë shkak për hapjen e linjës telefonike emergjente.
Avokati Tanay thotë se gjithnjë e më shumë njerëzit po raportojnë për dhunën policore.

“Njerzit po regjistrojnë me telefon celular akte dhune dhe dëshimtarët janë gati të flasin hapur. Bashkë me njoftimin e rasteve të dhunës nga media, viktimat dhe dëshmitarët mund të raportojnë me sukses aktet e policisë”.

Kryeministri Recep Tayyip Erdogan i ka hedhur poshtë akuzat rreth dhunës policore në rritje si "propagandë". Ai thekson vlerësimin që ka marrë qeveria turke nga Bashkimi Evropian për politikën e saj të mos tolerancës ndaj torturës si dhe për zbatimin e reformave, përfshirë vendosjen e kamerave në rajonet e policisë, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar anëtarësi në BE. Por ndërsa anëtarësimi i Turqisë në BE është lënë mënjanë, analistët thonë se akuzat për shtimin e dhunës policore mund të jenë një tregues i mungesës së përparimit në këtë fushë.

Thirrjet në numrin e posaçëm kanë qënë të shpeshta që prej hapjes së tij muajin e kaluar. 80 telefonata u bënë gjatë javës së parë dhe 4 prej tyre u konsideruan emergjente. Njëri prej personave që mori në telefon ishte shoferi i taksisë, Serkis Jogurtcu. Ja si e shpjegon ai se çfarë ndodhi.

“Ai tregon se policia shkoi në shtëpinë e tij për shkak të një grindjeje me bashkëshorten. Po në kohën që po qëndroja para shtëpisë, vazhdon ai, polici më vuri menjëherë prangat dhe filloi të më godasë. Më çuan në rajonin më të afër policor, ku më keqtrajtuan, duke më goditur me shqelma dhe me shkopinj gome”, përfundon shoferi i taksisë.

Gruaja e Jogurtcut-it telefonoi numrin emergjent. Një avokat shkoi menjëherë në rajonin e policisë. Avokatët thonë se përgjigja e shpejtë është e domosdoshme në raste të tilla, jo vetëm për të parandaluar çdo abuzim të mëtejshëm, por për t’u siguruar që raportet mjekësore dhe ato ligjore janë të sakta. Ata thonë se në shumë raste këto raporte mund të zhduken. Por numri për telefonata emergjente nuk merret vetëm me rastet individuale të dhunës policore.

Muajin e kaluar, telefonuan punëtorët protestues të sektorit të tekstileve. Suke Erdem pati një përvojë të hidhur, se as avokatët nuk janë të përjashtuar nga kjo dhunë.

“Mbërrita në vendin e protestës dhe identifikova veten. Shumë prej personelit policor më njihte nga takime të mëparshme që kisha patur me ta, por brënda pak minutash, pas mbërritjes, policët sulmuan punëtorët, duke përdorur gaz dhe shkopinj gome, madje më rrahën edhe mua, duke më thyer krahun dhe dy gishta”.

Avokatja Edam thotë se ky incident nuk e ka shkurajuar atë që të punojë për linjën emergjente, madje ajo ka ngritur padi kundër policisë. Avokati tjetër Taylan Tanay thotë se ata kanë marrë telefonata kërcënuese nga njerëz që pretendojnë të jenë policë, por ai shton se policët bashkëpunojnë dhe janë të sjellshëm në kontaktet me ta.

Gjatë bisedës me avokatin Tanay, telefoni bie përsëri: këtë herë është nga policia, por jo për kërcënim, por për të falenderuar për shërbimin e avokatëve dhe për të pyetur nëse avokatët mund të ndihmojnë në ndonjë problem ligjor që policët mund të kenë me shefat e tyre. Avokati Tanay përgjigjet "naturisht, patjetër".
XS
SM
MD
LG