Lidhje

Turqia kritikohet sërish lidhur me lirinë e shtypit


Turqia kritikohet sërish lidhur me lirinë e shtypit
Turqia kritikohet sërish lidhur me lirinë e shtypit

Përkrahësit brohorisnin jashtë një gjykate të Stambollit ndërsa tre gazetarë u dërguan në burg të premten nën akuzat për pjesëmarrje në një organizate terroriste dhe nxitje të urrejtjes publike. Ata drejtonin faqen elektronike të lajmeve “Oda TV”, e cila është tejet kritike ndaj partisë në pushtet AK.

Mediat turke njoftojnë se arrestimet u kryen në lidhje me hetimet që gazetarët po zhvillonin rreth deklaratave se policia kishte fabrikuar dëshmi në gjykimet e më shumë se 400 të akuzuarve për përpjekje për të përmbysur qeverinë.

Halluk Shahin, profesor i medias në Universitetin “Bilgi” dhe drejtor pranë kanalit TV-8 në Turqi, thotë se qeveria përdor një politikë të caktuar për të frikësuar median.

“E shoh këtë si një përpjekje tjetër për të krijuar një shtyp proqeveritar dhe si përpjekje për të heshtur pjesën tjetër të shtypit, i cili herë pas here mund të botojë ndonjë artikull ose lajme kritike ndaj qeverisë. E shoh këtë si një shenjë ogurzezë të një veprimi në drejtim jodemokratik. Ne kemi kaluar nëpër faza të ngjashme edhe në të shkuarën.”

Të njëjtin shqetësim ndan edhe ambasadori i ri amerikan në Turqi, Frensis Xhej Riçardone, i cili tha pas arrestimit të gazetarëve se në Turqi “ekziston një politikë e qartë e mbështetjes për një shtyp të lirë. Në anën tjetër”, shtoi ambasadori amerikan, “gazetarët janë vënë nën arrest. Ne po përpiqemi ta kuptojmë këtë”.

Komenti i diplomatit amerikan shkaktoi reagime të zemëruara nga anëtarët e lartë të qeverisë turke, përfshi kryeministrin Rexhep Tajip Erdoan.

“Ai nuk e njeh Turqinë. Ai nuk ka asnjë ide se çfarë ligjesh ka këtu dhe kështu bie në kurth duke bërë deklaratë. Fillimisht ai duhet të bënte hulumtime, të pyeste se për çfarë është fjala dhe mësojë se çfarë do të bëjë gjyqësori në këtë rast; se cili do të jetë rezultati. Kur nuk vepron kështu do të thotë se je ambasador pa përvojë.”

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Pi Xhej Kraulli përkrahu ambasadorin, duke thënë se liria e shprehjes në Turqi mbetet një çështje shqetësuese.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, ka 56 gazetarë në burg. Më herët këtë muaj, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve me seli në SHBA akuzoi autoritetet turke se po nxirrnin gazetarët para gjyqit për të shtypur lajmet dhe komentimet kritike.

Liria e shtypit po ashtu po ngre shqetësime në rritje për Bashkimin Evropian, të cilit po kërkon t’i bashkohet Turqia. Anëtari i Komitetit të Parlamentit Evropian për Turqinë, Hauit Riçard:

“Vullneti politik do të vazhdojë të shtyjë Turqinë drejt një shoqërie plotësisht demokratike e të lirë, ku ka jo vetëm tolerancë, por ku mirëpritet fakti që gazetat e radiot e kritikojnë qeverinë, nganjëherë me fjalë të theksuara dhe agresive. Por kjo nuk është gjendja sot në Turqi, le të jemi të sinqertë. 50 gazetarë janë në burg për shkrime e transmetime që nuk përmbajnë dhunë. Ka shumë hetime dhe dënime me burg që janë të papranueshme.”

Qeveria thotë se ajo ka paraqitur për miratim reformat për të përmirësuar lirinë e medias dhe për të pakësuar ndjekjet penale të shkrimtarëve dhe gazetarëve.

Ministri për Anëtarësim në Bashkimin Evropian, Egemen Baësh, hedh poshtë kritikat e BE-së, duke thënë se shumica e të burgosurve po vuajnë dënimin për veprimtari jogazetarie.

“Ne kemi bërë tashmë shumë ndryshime; gjërat janë më mirë sot. Vetëm 11 prej tyre kanë të bëjnë me çështje politike. Të tjerët janë ose të lidhur me terrorizmin ose me përpjekje për të rrëzuar qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike.”

Qeveria turke thotë se shumë gazetarë të burgosur kanë lidhje me grupin rebel kurd PKK, i cili ka luftuar shtetin turk që nga viti 1984. Por grupet e të drejtave të njeriut thonë se ligjet kundër terrorit në Turqi po përdoren gjithnjë e më shumë për të kufizuar lirinë e shprehjes dhe të opozitës në vend sesa për të ndaluar dhunën.

XS
SM
MD
LG