Lidhje

Shëmbet një urë në shtetin Uashington


Zyrtarët thonë se nuk ka viktima apo të zhdukur

Zyrtarët në shtetin Washington konfirmojnë se nga shëmbja e një ure mbrëmë në veri të qytetit Seattle nuk ka patur viktima. Incidenti pritet të ngrejë pikëpyetje rreth infrastrukturës në Shtetet e Bashkuara, për përmirësimin e së cilës Presidenti Barak Obama ka komentuar shpesh në fjalimet e tij.

Zyrtarët thonë se operacionet e kërkim shpëtimit kanë përfunduar dhe nuk ka patur viktima apo të zhdukur.

"Në sajë të punës së shkathët që bëri një ekip i emergjencës, tre persona u nxorrën nga lumi Skagit dhe u dërguan në një spital aty pranë," tha guvernatori i shtetit Washington, Jay Inslee.


"Jemi të lumtur që me sa duket nuk ka patur të vdekur," tha guvernatori.


"Kishim dëgjuar zëra se në lumë mund të kishte edhe njerëz të tjerë. Ne sollëm aty polombarë por nuk u pa e nevojshme që ata të zhyteshin," tha sherifi i distriktit Skagit, Will Reichardt.


Nuk dihet me saktësi se çfarë e shkaktoi shëmbjen e urës por sipas një zyrtari të policisë, ajo erdhi pasi një kamion kishte goditur trarët e sipërm të saj.

XS
SM
MD
LG