Lidhje

Udhëheqësit e BE takohen për të diskutuar mbi çështjen e borxhit


Udhëheqësit e BE takohen për të diskutuar mbi çështjen e borxhit
Udhëheqësit e BE takohen për të diskutuar mbi çështjen e borxhit

Udhëheqësit evropianë po diskutojnë në Bruksel mbi rregullat e reja për kontrollin e deficiteve si dhe mbi paketat e propozuara të shpëtimit financiar, ndërsa përpiqen të gjejnë një zgjidhje për krizën e borxhit. Udhëheqësit shpresojnë që, në takimin e sotëm, të nënshkruajnë një fond të ri të përhershëm shpëtimi për vendet që përdorin euron.

Fondi prej 661 miliardë dollarësh, i quajtur Mekanizmi i Stabilitetit Evropian, do të fillojë të zbatohej në muajin korrik.

Takimi i Brukselit mbahet, ndërsa Greqia përpiqet të sigurojë një paketë ndihmash me vlerë 169 miliardë dollarë, për të shmangur mospagimin e këstit të borxheve.

Shkurtimet buxhetore dhe marrëveshja me kreditorët për borxhin e Greqisë do ta kualifikonte atë të fundit për një paketë të re ndihmash nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Gjermania ka hedhur idenë e një plani për t’i hequr qeverisë greke kontrollin mbi shpenzimet. Por Greqia e ka hedhur poshtë një ide të tillë.

"Çështja është se si Evropa të mund ta mbështesë Greqinë dhe kjo mund të bëhet vetëm nëse Greqia dhe vende të tjera e diskutojnë këtë së bashku. Prandaj edhe unë nuk dëshiroj një diskutim polemik por të suksesshëm," tha Kancelarja Angela Merkel duke hyrë në takim.

Kryeministri grek, Lucas Papadhimos ka thënë se në vend ekziston mirëkuptim lidhur me masat e ashpra ekonomike që duhen marrë.

Megjithë bisedimet e zgjatura me kreditorët privatë, qeveria e Athinës nuk ka arritur deri tani të arrijë marrëveshje për përgjysmimin e borxhit që u ka atyre. Kjo mund ta shkurtonte borxhin e saj me 130 miliard dollarë, por bisedimet kanë ngecur në çështjen e interesit që Greqisë i kërkohet të paguajë për borxhin e rishikuar.

Ndërkohë, kanë lindur shqetësime të reja se edhe Portugalia mund të ketë nevojë për një paketë të dytë ndërkombëtare ndihmash.

Robert Halver, ekspert i bankës Baader në Frankfurt, thotë se nuk duhet folur më për paketa shpëtimi.

"Problemet e eurozonës janë të qarta për të gjithë. Grekët dhe portugezët duhet të dalin nga eurozona, të bëjnë detyrat e shtëpisë dhe ne nuk duhet të flasim më për paketa shpëtimi".

Sot, para takimit të udhëheqësve evropianë, në Bruksel u zhvilluan protesta, të cilat paralizuan transportin publik dhe shërbime të tjera.

XS
SM
MD
LG