Lidhje

Lindja dhe Perëndimi përballë Ukrainës


Zyra e presidentit francez tha se udhëheqësit e Ukrainës dhe Rusisë kanë rënë dakort të punojnë drejt një armëpushimi dypalësh mes Kievit dhe forcave separatiste pro-ruse ndërsa armëpushimi i njëanshëm i njoftuar nga Kievi më 20 ka skaduar. Deklerata e zyrës së presidentit francez Francois Hollande pason një telefonatë mes katër udhëheqësve – presidentit ukrainas Petro Poroshenko, presidentit rus Vladimir Putin, kancelares gjermane Angela Merkel dhe zotit Hollande.

Udhëheqësit Perëndimorë dhe ata rusë duan që situata aktuale pa luftime të vazhdojë, por presidenti ukrainas Petro Poroshenko ndodhet nën presionin e publikut për të rifilluar ofensivën kundër seperatistëve që mbështeten nga Rusia. Përleshjet gjatë armëpushimit aktual kanë lënë të vrara disa trupa ukrainase.

Por në të njëjtën kohë, udhëheqësit francezë dhe gjermanë duan që presidenti rus Vladimir Putin të ndikojë mbi seperatistët që t’i japin fund konfliktit.

Presidenti rus po reziston, duke thënë se ai nuk ka kontroll mbi luftëtarët në Ukrainën lindore. Zyrtarët rusë thonë se frika e banorëve në lindje të Ukrainës, për drejtuesit në Kiev, që ata i cilësojnë si “fashistë dhe radikalë”, është e justifikuar. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov bëri këto komente të shtunën, për televizionin rus.

Zoti Lavrov thotë se “forcat e djathta në Kiev po e shtyjnë presidentin Poroshenko drejt konfliktit me seperatistët pro-rusë. Ai akuzoi edhe Shtetet e Bashkuara se po bënin të njëjtën gjë.”

Qëndrimi rus duket se është ashpërsuar më tej, pas vdekjes të dielën të gazetarit të tretë rus në zonën e luftimeve në Ukrainën lindore.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian po kërcënon Rusinë me ato që kancelarja gjermane Angela Merkel i quajti masa drastike, në formë të shtimit të sanksioneve ekonomike, nëse Moska nuk tregohet e rreptë ndaj seperatistëve. Por udhëheqësit rus nuk kanë treguar shenja të ndryshimit të politikës së tyre pas disa muajsh sanksione kryesisht të përqendruara tek ankesimi rus i Krimesë.

As analistët nuk presin që presidenti Putin të ndryshojë qëndrim. James Nixey është me organizatën Chatham House në Londër.

“Ai nuk ka bërë ndonjë përpjekje serioze për të ndryshuar qëndrimin e elementëve më ekstremë, që janë pro rusë, që të ndalojnë luftimet në Ukrainën lindore. Taktika ruse nuk ka ndryshuar.”

Zoti Nixey thotë se pozita ruse po forcohet nga ngurrimi në shumë vende të Bashkimit Evropian për të vënë më shumë sanksione.

“Duket e pamundur se do të ketë ndonjë raund të ri sanksisonesh tani. Mendoj se Perëndimi nuk është i gatshëm të ndërmarrë veprime të guximshme pa e patur më parë të qartë se çfarë ndikimi do të kishin ato”.

Pasojat mund të kishin ndikim edhe tek vetë vendet perëndimore, shumë prej të cilave varen nga tregtia me Rusinë, kryesisht importi i naftës, për të siguruar që ekonomia e tyre ende të brishtë të mos bien përsëri në recesion.

Ekspertët thonë se zgjatja e armëpushimit dhe vazhdimi i bisedimeve mund të jetë pjesa më e lehtë. Por më e vështirë do të jetë gjetja e një formule politike që do të kënaqte rusët dhe seperatistët pa e detyruar Ukrainën që të japë edhe më shumë territore të saj.

XS
SM
MD
LG