Lidhje

Ukraina dhe marrëveshja e Minskut

  • Luis Ramirez

Dy vjet pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, ukrainasit janë nën presion nga Perëndimi dhe Rusia për të zbatuar marrëveshjen e Minskut, pavarësisht dështimit të Rusisë për të siguruar kushtet e nevojshme të sigurisë. Shumë ukrainas mendojnë se janë vënë në një pozitë të vështirë pasi atyre po u kërkohet që t’u japin autonomi rajoneve seperatiste të Donetskut dhe Luhanskut dhe të ndërmarrin veprime të tjera që ata besojnë se përfundimisht do të çojnë në humbjen eventuale të këtyre territoreve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Luis Ramirez njofton nga Kievi dhe skena ku dy vjet më parë forcat besnike të udhëheqësit të rrëzuar pro-rusë, Viktor Janukoviç, shtypën me dhunë protestuesit e opozitës.

Gjaku i demonstruesve të qëlluar për vdekje në këtë rrugë është pastruar shumë kohë më parë.

Por tmerret e asaj dite ende janë në kujtesën e ukrainasve.

Mykola Andrievsky, ish protestues në sheshin Maidan thotë:

"Unë erdha nga ajo anë dhe pashë shumë kufoma që ishin vendosur pranë hotelit. Në atë moment njerëzit filluan t’i lëviznin ato. Unë pastaj ndihmova në lëvizjen e tyre në një vend tjetër".

Dy vjet më vonë, një luftë e pashpallur në lindje të vendit ende po vazhdon, dhe ndaj Ukrainës po ushtrohet presion për të zbatuar marrëveshjet e arritura në Minsk për t'i dhënë fund konfliktit.

Marrëveshja e Minskut mes tjerash kërkon që Ukraina të bëjë ndryshime kushtetuese për t’i dhënë më shumë autonomi rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut që tani kontrolluara nga separatistët pro-rusë. Ukrainasit nuk pranojnë ta bëjnë këtë.

Alex Rabchyn, Deputet i parlamentit ukrainas:

"Ju nuk mund të bëni bisedime të paqes në këtë situatë politike për t’i dhënë më shumë autonomi një rajoni, pasi banorët e rajoneve të tjera mund të na akuzojnë se ne po shpërblejmë njerëzit që bënë kryengritje për më shumë pushtet ndërkohë që djemtë e tyre u vranë atje duke mbrojtur vendin".

Ukraina ka frikë se Evropa nuk mund të vazhdojë sanksionet kundër Rusisë këtë vit në qoftë se Kievi nuk zbaton marrëveshjet e Minskut.

Por këto marrëveshje do të jenë "helm" për Ukrainën, thotë ish-oficeri ukrainas i kundërzbulimint, Alexey Arestovich:

"Çdo përpjekje për të zbatuar marrëveshjen e Minskut do të çojë në një krizë të brendshme afatgjate. Ato janë të shkruara në një mënyrë që nuk mund të zbatohen. Ka kundërshtime të mëdha ndaj tyre nga shoqëria, pra ato nuk do të jenë të suksesshme".

Ende ka shpresë se sakrificat e bëra në këtë shesh në atë mëngjes të vitit 2014 do të sjellin rezultate.

Mykola Andrievsky, ish protestues, thotë:

"Është e vërtetë se kemi paguar një kosto të madhe. Shumë njërëz humbën jetën. Tani, pas dy viteve nga protesta në sheshin Maidan, është e vështirë të thuhet nëse ata të rinj dhe të reja dhanë jetën e tyre për asgjë".

Revolucioni i sheshit Maidan ishte i njohur edhe si "Revolucioni i Dinjitetit" dhe kishte të bënte kryesisht me vetëvendosjen. Tani, dy vjet më vonë dhe nën presion nga Perëndimi dhe Rusia, është në pikëpyejte nëse Ukraina edhe një herë do të detyrohet të veprojë kundër interesave të saj kombëtare.

XS
SM
MD
LG