Lidhje

Revolucion për gratë në Ukrainë


Lëvizja e protestave në Ukrainë, që çoi në përmbysjen e qeverisë javën e kaluar, përfshiu shumë gra në role si tradicionale dhe jo-tradicionale. Disa prej tyre shpresojnë që ky moment të ketë shënuar fillimin e një revolucioni dhe në statusin e gruas. Al Pessin i Zërit të Amerikës njofton nga Kievi.

Sheshi Pavarësia ka qenë i mbushur me protestues dhe përkrahës të tyre për muaj me radhë. Njerëzit që ruajnë barrikadat për mbrojtje nga sulmet e policisë shihen si heronj, ndërsa ata që humbën jetën gjatë trazirave nderohen si dëshmorë.
Gratë iu bashkuan përpjekjes, më së shumti në role mbështetëse, duke përgatitur ushqim, duke kaluar tulla dorë më dorë, apo duke shpërndarë sanduiçe dhe çaj mes njerëzve pranë barrikadave.

"Djemtë rrinë vetëm ulur aty dhe hiqen sikur janë shumë të rëndësishëm. Gratë janë ato që vërtet po punojnë."

Kjo vajzë, e cila dha vetëm emrin si Nina dhe që fsheh fytyrën për të mos rrezikuar sigurinë e saj, kapërceu paragjykimet duke shërbyer si roje pranë barrikadave bashkë me djemtë.

"Unë di të gatuaj. Di të pastroj. Di të flas. Di edhe të mendoj, të organizoj dhe të luftoj."

Nina është një nga vajzat e shumta që po e përdorin mundësinë e kësaj kryengritjeje për të bërë revolucion në jetën e tyre.
Aleksandra Nazarova bën roje pranë një zyre qeveritare në mënyrë që dokumente të ndryshme të cilat mund të përmbajnë prova për korrupsion të mos humbasin.

"E vetmja alternativë për mua është të frymëzoj gra të tjera që të jetë aktive sa të dëshirojnë dhe në çdo rol që dëshirojnë," - thotë ajo.

Shumë prej vajzave në role jo-tradicionale janë pjesë e Brigatës së Grave, e krijuar muajin e kaluar për të mbrojtur të drejtën e tyre për të punuar së bashku me burrat. Nina Potarska është një nga organizatoret.

"Gjatë kohës së qeverisë së mëparshme, gjithmonë kemi luftuar për barazi dhe përfaqësim të barabartë të grave. Nëse nuk do të kemi sukses tani, në këtë realitet krejtësisht ndryshe, atëherë për shumë gra e gjithë kjo betejë do të ishte pa kuptim."

Gra të të gjitha brezave i kanë mbështetur protestat në çfarëdo mënyre që kanë mundur. Në Konsorciumit e Grave të Ukrainës, kryetarja Maria Alekseyenko thotë kjo është ajo që ka rëndësi.

"Gjëja më e rëndësishme tani është që gratë të kuptojnë se ato mund të vendosin vetë se si të angazhohen. Është gjithashtu e rëndësishme që gratë të kuptojnë se duhet të marrin pjesë në të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë jetën e tyre."
XS
SM
MD
LG