Lidhje

Dy punonjës të OKB-së vriten në Somali


Dy punonjës evropianë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë qëlluar për vdekje në rajonin Puntland të Somalisë.

Burime të shumta i kanë identifikuar ata si Simon Davies, një shtetas britanik dhe ish-oficer i Scotland Yard-it, dhe Clement Gorrissen. Franca thotë se Gorrissen është shtetas francez, ndërsa burime të tjera thonë se ai është shtetas kanadez.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Presidenti i rajonit të Puntlandit Abdiweli Mohamed Ali tha se një roje sigurie me sëmundje mendore ka vrarë dy burrat dje ndërkohë që ata arritën në një aeroport në qytetin Galkajo.

Ai tha se viktimat punonin për Zyrën e OKB-së mbi Drogën dhe Krimin dhe kishin ardhur në Puntland për të ndihmuar në ndërtimin e një burgu.

Presidenti rajonal thotë se vrasësi është arrestuar menjëherë nga policia, dhe kanë filluar hetimet për këtë incident.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon dënoi vrasjen e dy punonjësve të OKB-së në Puntland dhe u bëri thirrje autoriteteve të sjellin sa më shpejtë para drejtësisë autorët e këtij krimi.
XS
SM
MD
LG