Lidhje

Papunësia e lartë në vendet e zhvilluara


OECD thotë se 48 milionë njerëz në 34 ekonomitë më të mëdha do të jenë të papunë të paktën deri në fund të vitit 2013

Një raport i ri parashikon se papunësia ka gjasa të mbetet e lartë në vendet e zhvilluara të botës deri në fund të vitit të ardhshëm.

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik me qendër në Paris tha sot se 48 milionë njerëz në 34 ekonomitë më të mëdha do të jenë të papunë të paktën deri në fund të vitit 2013. OECD-ja tha se duhen krijuar 14 milionë vende të reja vetëm për të kthyer ekonomitë e zhvilluara në të njëjtin nivel që ishin para fillimit të recesionit botëror në vitin 2008, që çoi në papunësi të lartë.

Sekretari i përgjithshëm i OECD-së, Angel Gurria, tha se "aktiviteti i brishtë ekonomik" që nga recesioni nuk ka krijuar dot një numër të mjaftueshëm vendesh pune, dhe se tani ekonomia përsëri është ngadalësuar.

Raporti thotë se shkalla e papunësisë në 34 vendet e OECD-së qëndroi në 7.9 për qind në muajin maj. Raporti parashikon që papunësia të arrijë në 8 për qind në fund të këtij viti dhe të bjerë në 7.7 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2013.
XS
SM
MD
LG