Lidhje

Universiteti Barnard në pritje të fjalimit të Presidentit Obama

  • Carolyn Weaver

Presidenti Obama do të flasë (të hënën) në ceremoninë e diplomimit të këtij viti të Universitetit Barnard, në Nju Jork. Barnard është një nga universitetet e pakta vetëm për femra të mbetura në Shtetet e Bashkuara. Ai është i lidhur me Universitetin e Kolumbias, ku Presidenti Obama u diplomua në vitin 1983. Ishte vetë zoti Obama i cili i kërkoi Universitetit Barnard nëse ai mund të fliste atje këtë vit.
Është java e fundit në kolegjin Barnard dhe në mjediset e tij në Manhattan mbizotëron qetësia. Vajzat në qendrën e studentëve rrallë heqin sytë nga librat dhe kompjuterat e tyre - me përjashtim të studenteve të vitit të fundit, si kryetarja e shoqatës së studenteve Jessica Blank, e cila do të mbajë fjalim, me presidentin Obama, në ceremoninë e këtij viti.

"Në fakt, unë kam patur shpesh momente ankthi ndërkohë që përpiqem të shkruaj fjalimin tim. Sa herë që mendoj se kam përgatitur një version të mirë, i them vetes: duhet t’i them këto gjëra para presidentit të Shteteve të Bashkuara, kështu që besoj se duhet t’a përmirësoj pak më shumë fjalimin."

Edhe pse ky universitet është i vogël, me vetëm 2400 studente, gjatë më shumë se 120 viteve të tij, aty janë diplomuar shumë gra të shquara. Në ceremoninë e diplomimit gjithmonë marrin pjesë figura të rëndësishme – si për shembull Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton, në vitin 2009. Shtëpia e Bardhë nuk ka shpjeguar pse presidenti kërkoi që të flasë këtë vit. Por çështjet e grave, si aborti dhe kontraceptivët, kanë qenë mjaft të debatuara gjatë këtij sezoni zgjedhjesh dhe rektorja Debora Spar ka një hipotezë.

"Mendoj se ai dhe Shtëpia e Bardhë duan një mundësi për të thënë diçka me të vërtetë të rëndësishme në lidhje me gjendjen aktuale të grave në Shtetet e Bashkuara, dhe me çështjet me të cilat gratë po përballen gjithmonë e më shumë në këtë vend."

Ashtu si shumica e universiteteve amerikane, Barnard po pranon një numër në rritje studentesh të huaja. Zonja Spar thotë se një nga arsyet është theksi mbi përgatitjen e grave si udhëheqëse.

"Jo vetëm të merret në konsideratë udhëheqja e grave, por me të vërtetë të bëjmë më tepër, dhe të përpiqemi seriozisht për vendosjen e më shumë grave në pozicione drejtuese në të gjithë sektorët e ekonomisë, në të gjitha pjesët e botës. Ne kemi një program të përqëndruar mbi aftësitë drejtuese dhe mendoj se ai është një element shumë terheqës."

Edhe pse Barnard është një universitet për femra, studentet e tij ndjekin shumë leksione të përbashkëta me studentët e universitetit të Kolumbias aty pranë, me të cilin është i lidhur. Por Rektorja Spar thotë se të qenit për katër vjet pjesë e shumicës i ofron grave të reja një vend ku gjinia nuk ka rëndësi.

"Këtu, ku dhoma është plot me gra, studentet mund të jetë vetëvetja, dhe ato nuk duhet të shqetësohen për trajtime të pabarabarta. Mendoj se kjo i jep atyre besim dhe një konsideratë për veten që është me të vërtetë magjike."
Edhe pse universiteti Barnard është një nga kolegjet më të shtrenjta të SHBA-së, zyrtarët thonë se rreth gjysma e studenteve marrin ndihma financiare të konsiderueshme.



XS
SM
MD
LG