Lidhje

Zyrtarët amerikanë dhe kinezë takohen për të përmirësuar marrëdhëniet


Dy këshilltarë të Presidentit Obama kanë zhvilluar bisedime me zyrtarë të lartë në Pekin, përfshirë edhe një takim të rrallë me Presidentin kinez Hu Gjintao. Ndërsa të dy palët theksuan rëndësinë për zgjerimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e marrëdhënieve të mira mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, analistët thonë se një varg çështjesh, përfshirë vlerën e valutës kineze dhe marrëdhëniet tregtare, do të vazhdojnë të përbëjnë sfida për marrëdhëniet mes dy vendeve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Uilliam Ajd, njofton nga Uashingtoni.

Presidenti kinez Hu Gjintao rrallë takohet me vizitorë të një rangu më të ulët, por javën e kaluar ai u ul për të biseduar me këshilltarin ekonomik të Presidentit Obama, Leri Samërs, dhe këshilltarin për siguri kombëtare, Tomas Donilon. Disa analistë e vlerësojnë këtë takim si domethënës.

"Kjo sugjeron se diskutimet paraprake që këshilltarët zhvilluan në Pekin kanë qenë të suksesshme."

Kenet Libertal është drejtor i qendrës së Kinës pranë institutit Brukings në Uashington.

"Tani që Presidenti Hu pajtohet me argumentin se marrëdhëniet mes dy vendeve janë tepër të rëndësishme dhe se nuk duhet të mbitheksohen dallimet, do të kemi mundësi të zgjidhim problemet, të pakësojmë tensionet e kështu me radhë."

Shtëpia e Bardhë thotë se bisedimet u përqendruan në një sërë temash, përfshirë Korenë e Veriut, Iranin, si dhe çështjet ekonomike dhe të sigurisë.

Takimi u zhvillua pas disa muajsh mosmarrëveshjesh, ndërkohë që dy vendet vazhdojnë të mos pajtohen për çështje të tregtisë. Gjendja e rëndë e ekonomisë botërore po shkakton trysni politike gjithashtu.

Zoti Libertal thotë se me afrimin e zgjedhjeve të nëntorit për Kongresin amerikan dhe me preokupimin e kinezëve për zgjedhjen e trashëgimtarit të presidentit Hu, udhëheqësit e të dy vendeve do të përballen me sfida në rritje.

"Duke pasur parasysh lidhjen e politikës me shqetësimet ekonomike, të dy udhëheqësit politikë do të duhet të bëjnë përpjekje të shumta për të mos lejuar që marrëdhëniet tregtare të përkeqësohen më tej."

Në nëntor, qytetarët amerikanë do të zgjedhin ligjvënës të rinj për Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Presidenti kinez Hu Gjintao pritet të mbarojë detyrën më 2012.

Profesor Patrik Çovanec nga Universiteti Cinhua në Pekin thotë se marrëdhëniet tregtare janë të tendosura.

"Njerëzit kanë pyetur veten për ca kohë nëse ndonjëherë do të shpërthente luftë tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Në shumë aspekte, muajve të fundit ka pasur luftë tregtare të nivelit të ulët."

Profesor Çovanec vë në dukje se thuajse çdo javë njëra palë ose tjera zbulon se pala tjetër po manipulon çmimet e mallrave të eksportuar dhe për këtë arsye vihen sanksione.

Vetëm këtë javë, Departamenti amerikan i Tregtisë miratoi një vendim paraprak kundër eksportuesve të subvencionuar të aluminit kinez, lëvizje që mund t'i detyrojë firmat kineze të kësaj veprimtarie të tërhiqen nga tregu amerikan.

Javën e ardhshme, ligjvënësit amerikanë do të mblidhen për të shqyrtuar veprimet qeveritare që nevojiten për të zgjidhur çështjen e kursit kinez të këmbimit.

"Kujtoj se çështja nuk ka të bëjë aq shumë me zgjedhjet. Mendoj se do të varet nëse do të vërejmë ndonjë ndryshim domethënës në kursin e këmbimit në Kinë."

Analisti për çështje të Azisë, Gordon Çang, është kolumnist i revistës "Forbes". Ai thotë se në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat ka disa projektligje që kanë të ngjarë të miratohen.

"Ka të ngjarë që po të mos ndryshojë vlera e juanit kinez, Kongresi do të miratojë një legjislacion. Nuk e di nëse Presidenti Obama do të përdorë veton apo jo, por kjo do të jetë çështje shumë e rëndësishme."

Patrik Çovanec nga Universiteti Cinhua në Pekin thotë se ndërsa është e paqartë nëse zyrtarët amerikanë dhe kinezë kanë arritur marrëveshje gjatë takimeve, të dy palët e pranojnë rëndësinë e çështjes.

"Nuk jam i sigurt nëse është arritur ndonjë marrëveshje, por mendoj se të paktën tani që kupa është mbushur, palët do të diskutojnë më me kujdes."

Zoti Libertal thotë se Kina duket e palëkundur në çështjen e valutës, por ka të ngjarë të bëjë përpjekje për çështje të tjera, përfshirë rifillimin e dialogut ndërushtarak.

Kina anuloi dialogun mes ushtrive më herët këtë vit pasi Uashingtoni njoftoi rreth një marrëveshjeje të re armësh me Tajvanin.

Por analistët thonë se nëse marrëdhëniet vazhdojnë të përkeqësohen, jo vetëm që nuk do të ketë përmirësim, por edhe vizita që pritet të bëjë zoti Hu në Shtetet e Bashkuara mund të shtyhet.

XS
SM
MD
LG