Lidhje

Administrata Obama dhe avionët pa pilot


Kandidati i Presidentit Obama për postin e drejtorit të CIA-s tha se sulmet me avionë pa pilot janë ndërmarrë në përputhje me ligjet federale

Kandidati i Presidentit Barak Obama për postin e drejtorit të CIAs tha se sulmet me avionë pa pilot janë ndërmarrë në përputhje me ligjet federale. John Brennan, aktualisht këshilltar i Presidentit për anti- terrorizmin, ishte dje në një seancë konfirmimi të Komisionit të Senatit për Zbulimin. Ai merret në pyetje pak ditë pas daljes në publik të një memorandumi ku justifikohen arsyet për sulmet me avionë pa pilot kundër shtetasve amerikanë jashtë vendit, që dyshohen për terrorizëm.

Avionët amerikanë pa pilot kanë vrarë disa të dyshuar si terroristë në vende të tjera, duke përfshirë shtetasin amerikan Anwar al-Awlaki. Por përsa i përket miratimit të sulmeve kundër shtetasve amerikanë, Senatori demokrat Ron Wyden thotë se është i shqetësuar. Ai thotë se në këtë rast, Presidenti Obama po vepron njëkohësisht si gjykatës dhe si ekzekutor.

“Ajo që më shqetëson është ideja për t’i dhënë presidentit pushtet të pakufizuar për të vrarë amerikanë pa kaluar nëpër sistemin e kontrollit dhe balancës. Çdo amerikan ka të drejtën të dijë se kur qeveria e tij beson se ka leje për ta vrarë”.

Në dëshminë e tij në seancën e konfirmimit, kandidati për postin e drejtorit të CIA-s, John Brennan mbrojti programin e sulmeve me avionë pa pilot.

“Ne ndërmarrim veprime të tilla vetëm si masë të fundit për të shpëtuar jetën e njerëzve kur nuk ka alternativë tjetër për veprime që do të neutralizonin kërcënimin”.

Debati u ndërpre nga protestuesit që dënonin vrasjen e civilëve të pafajshëm gjatë sulmeve me avionë pa pilot.

Zoti Brennan tha se publiku amerikan është keqinformuar për këto lloj sulmesh dhe shtoi se CIA preferon t’i kapë të gjallë terroristët.

“Kurrë nuk kam besuar se është më mirë të vritet një terrorist se sa të kapet. Ne duam të arrestojmë sa më shumë terroristë që të jetë e mundur, pasi në këtë mënyrë mbledhim të dhëna zbulimi dhe parandalojmë aktet teroriste”.

Për sa i përket trajtimit të të ndaluarve, zoti Brennan tha se taktika e simulimit me mbytje është e papranueshme.

“Është diçka që duhet të ishte ndaluar kohë më parë, nuk duhet të ishte zbatuar kurrë”.

Avionët pa pilot janë mjete asgjësimi me kosto të ulët, siç thotë eksperti Christopher Swift.

“Thjesht nga pikëpamja e operacioneve anti-terroriste, avionët pa pilot kanë treguar se janë mjete shumë efikase në Pakistan dhe Jemen”.

Por përdorimi i tyre ka koston e vet, ato nxisin ndjenja anti-amerikane tek vendasit.

“Përdorimi i forcës sonë në vendin e dikujt tjetër krijon pakënaqësi politike ose shton shqetësimet për kolonializëm apo imperializëm amerikan. Kjo përforcon nocionin se Shtetet e Bashkuara janë në luftë me Islamin, çka është tepër problematike për ne”.

Nëse konfirmohet, zoti Brennan do t'i zerë vendin si drejtor i CIA-s gjeneralit David Petreas, i cili dha dorëheqjen për shkak të publikimit të marrëdhënieve të tij jashtëmartesore.
XS
SM
MD
LG