Lidhje

SHBA: Kandidatët presidencialë intensifikojnë fushatën


Presidential Debate

Presidential Debate

Presidenti Obama dhe republikani Romni po përqendrohen në disa shtete, ku analistët besojnë se do të vendoset rezultati i zgjedhjeve të 6 nëntorit

Presidenti Barak Obama dhe rivali i tij republikan Mit Romni bënë fushatë në gjithë vendin dje, në përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve, 13 ditë para zgjedhjeve presidenciale. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Kent Klain, çdo kandidat kishte vizituar katër zona zgjedhore deri në fund të ditës.

Në ndalesën e tij të parë djenë qytetin mesperëndimor Davenport të Ajovës, Presidenti Obama u tha zgjedhësve se ai është njeri të cilit mund t’i besohet dhe akuzoi ish guvernatorin e shtetit Masaçusets se ka ndryshuar shpesh pozitën e tij.

"E gjitha kjo flet për diçka shumë të rëndësishme dhe kjo është çështja e besimit. Nuk ka asgjë më serioze në fushatën presidenciale sesa besimi. Besimi ka shumë rëndësi”.

Nënpresidenti Xho Biden, në ditën e tij të tretë radhazi në shtetin e Ohajos, u transmetoi të njejtin mesazh të pranishëmve në qytetin Marion. Ai tha se zoti Romni u përpoq të tregohej më e moderuar se sa në fillim të fushatës.

"Por një gjë Guvernator, ti nuk i shmangesh dot të vërtetës. Ti nuk mund t’i shmangesh të kaluarës. Ti nuk mund t’i shmangesh politikave që ke ndjekur. Ti nuk mund t’i shmangesh pozicionit tënd, për shembull për të drejtave të grave”.

Pas largimit nga Ajova, presidenti shkoi në Denver të Kolorados, në Los Anxhelos të Kalifornisë dhe në Los Vegas të Nevadës. Ai do ta kalojë natën në avionin presidencial gjatë udhëtimit për në Tampa të Floridës, ku do të mbajë mitingun e parë sot.

Nga Florida, presidenti do të shkojë në Çikago, Illinoi, që është edhe qyteti i tij, ku do të jetë presidendi i parë që voton para ditës së zgjedhjeve. Ai do të bëjë gjithashtu fushatë në Riçmond të Virxhinias dhe në Klivland të Ohajos, para se të kthehet në Uashington sonte.

Edhe zoti Romni bëri fushatë në Nevada, Kolorado, Ajova dhe Ohajo dje. Në Rino të Nevadës, kandidati republikan shprehu besimin për shanset e tij të fitores dhe kritikoi ashpër politikat ekonomike të Presidentit Obama.

"Presidenti nuk ka qënë në gjendje të përcaktojë një axhendë, të shprehë një axhendë dhe të mbrojë një axhendë. Ka një arsye për këtë, mendoj se në të gjithë e dimë se ai nuk ka ide, na ka justifikime, prandaj në nëntor ju do ta largoni nga zyra”.

Partneri i zotit Romni, kongresisti nga Uiskonsin, Pol Rajan, ishte gjithashtu në Ohajo, një shtet që të dy kandidatët thonë se duhet ta fitojnë. Ai tha para zgjedhësve në Klivland se republikanët po punojnë për të inkurajuar vetmbështetjen ekonomike, ndërsa demokatët nuk po e bëjnë një gjë të tillë, u shpreh ai.

"Mit Romni dhe unë po konkurojmë sepse besojmë se amerikanët do të jenë më mirë me një ekonomi më dinamike, me një ekonomi të mbështetur në ndërmarrjen e lirë që nxit rritjen ekonomike dhe mundësitë prë të avancuar, në vend të një ekonomie pasive, në vend të një ekonomie të drejtuar nga qeveria që pengon krijimin e vendeve të reja të punës dhe që bie në varësinë e qeverisë”.

Të dy kandidatët po përqendrohen në disa shtete, ku analistët besojnë se do të vendoset rezultati i zgjedhjeve të 6 nëntorit.

Sondazhet më të fundit të opinionit tregojnë se gara është pothuajse e barabartë, me zotin Obama paksa në avantazh në disa shtete dhe zotin Romni në disa shtete të tjera.
XS
SM
MD
LG