Lidhje

Analistët komentojnë për garën presidenciale

  • Aru Pande

Fitoret e rëndësishme të demokrates Hillary Clinton dhe republikanit Donald Trump në zgjedhjet paraprake të së martës, kanë bërë që shumë analistë të parashikojnë se gara presidenciale do të përqendrohet pikërisht te këta dy kandidatë në javët dhe muajt që pasojnë.

Tetëdhjetë e pesë-vjeçari Marvin Cooper, banor i Miamit nuk e beson atë që thonë shumë të tjerë se në ekonominë amerikane gjithçka shkon mirë.

Ai thotë se shumë nga moshatarët e tij janë në vështirësi:

"Gjërat janë shtrenjtuar shumë, paratë mungojnë. Jam i shqetësuar për ekonominë dhe ky është shqetësimi numër një."

Tani, pas zgjedhjeve në Florida, politika dominon bisedat në këtë komunitet të moshuarish pranë Miami Beach.

Demokratja Maria Valiante votoi për Barack Obamën në vitin 2008. 90-vjeçarja thotë se dy vjet më parë ajo ndryshoi parti, duke shpresuar se një republikan do të rrisë fuqinë ushtarake të Amerikës:

"Ne duhet të jetë në gjendje t’i tregojmë botës se po na shkelët në kallo ne nuk do të rrimë pa u përgjigjur. Kjo është arsyeja pse votova për zotin Trump dhe jam e kënaqur që ai fitoi."

Ndërsa shumë votues në Florida e kanë mirëpritur fitoren e zotit Trump, janë ngritur pikëpyetje se ç’mund të ndodhë në konventën republikane të korrikut nëse ai nuk merr delegatët e nevojshëm për emërimin.

Ja ç’thotë Larry Sabato, analist në Universitetin e Virxhinias:

"Donald Trump po fiton shumë më tepër se kushdo tjetër. Ai pothuajse me siguri do të dalë i pari në prag të konventës. Por ai mund të mos marrë numrin magjik 1,237 të delegatëve që i duhen.”

Analistët po debatojnë rreth kësaj mundësie.

Zoti Trump ka thënë se mund të ketë trazira, nëse udhëheqësit republikanë përpiqen t’i mohojnë atij emërimin në konventën kombëtare.

Ndërkohë, votuesit në Florida, si kudo në vend, mbeten thellësisht të ndarë mbi pyetjen që bëjnë të gjithë: cili kandidat mund t’i udhëheqë më mirë Shtetet e Bashkuara si president i ardhshëm.

XS
SM
MD
LG