Lidhje

Të vrarë e të plagosur në një klub nate në SHBA


Të paktën dy persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën në një incident me armë zjarri në një klub nate në Fort Myers të Floridas të hënën herët në mëngjes. Ngjarja ndodh një muaj pas masakrës në Orlando ku një person i armatosur vrau 49 vetë në vrasjen massive më vdekjeprurëse në historinë amerikane.

Të shtënat në Fort Myers ndodhën pak pas orës 12:30 në parkingun e Klubit Blu.

Policia tha se tre persona janë arrestuar për t’u marrë në pyetje dhe se zona u vlerësua e sigurt, edhe pse rrugët në afërsi të klubit mbeten të mbyllura.

Hetuesit nuk kanë përcaktuar ende motivin e ngjarjes dhe identitetin e dy personave që u vranë, thuhet në deklaratë.

Florida është shteti ku, muajin e kaluar, një vrasje massive në një klub nate për homoseksualët në Orlando la 49 persona të vrarë duke përsëritur thirrjet për kontrollin e armëve në këtë sezon të zgjedhjeve presidenciale.

Një anketë e fundit tregon se një numër në rritje i amerikanëve është në favor të kontrollit më të madh të armëve, por janë pesimistë se ligjvënësit nuk do të bëjnë asgjë për të sjellë ndryshim.

Një anketë e agjencisë The Associated Press/GfK tregon se amerikanët nuk ndjehen të sigurtë dhe janë të shqetësuar se vetë apo ndonjë i afërt do të bëhet viktimë e dhunës së armëve.

XS
SM
MD
LG