Lidhje

SHBA dhe aleatët e Gjirit, hapa përpara për Sirinë


Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Gjirit, kanë një ide të qartë për hapat e mëtejshëm në bisdedimet që mund të sjellin si rezultat tranzicionin politik në Siri, thotë Sekretari i Shtetit, John Kerry.

Ai i bëri komentet sot në Riad, pas bisedimeve me zyrtarë sauditë dhe anëtarë të tjerë të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.

Zoti Kerry tha se ishte rënë dakord se Grupi Ndërkombëtar për Mbështetjen e Sirisë do të takohet menjëherë pas raundit të parë të bisedimeve për Sirinë të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara, që janë planifikuar për javën e ardhshme në Gjenevë.

“Duam që procesi të ecë përpara në mënyrë që tranzicioni në Siri të kthehet në realitet”, tha zoti Kerry.

Arabia Saudite, Irani dhe Shtetet e Bashkuara janë mes fuqive botërore që përbëjnë grupin që mbështet procesin për Sirinë të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara.

Marrëdhëniet SHBA-Iran

Takimi mes zotit Kerry dhe aleatëve nga vendet e Gjirit, vjen menjëherë pas lidhjeve që konsiderohen të përmirësuara mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, pas zbatimit javën e kaluar të marrëdhënies bërthamore, një shkëmbimi të burgosurish dhe negociatave nga pala amerikane që bënë të mundur lirimin e 10 marinarëve të ndaluar.

Gjithsesi në një konferencë të përbashkët shtypi me zotin Kerry, Ministri i Jashtëm saudit Adel al-Jubeir tha se nuk besonte që Shtetet e Bashkuara kishin ndonjë “iluzion” për “çfarë lloj qeverie ka Irani”.

Zoti Kerry është në ndalesën e dytë të një turneu në pesë vende, përfshirë Laosin, Kamboxhën dhe Kinën, ku ai do të përqendrohet tek përpjekjet për të koordinuar reagimin ndaj provës së asaj që Koreja e Veriut pretendon se ishte një paisje bërthamore.

XS
SM
MD
LG