Lidhje

Obama: masa ndaj atyre që ndërhynë në zgjedhje


Presidenti Barak Obama thotë se Shtetet e Bashkuara do të marrin masa kundër Rusisë apo çdo qeverie tjetër të huaj që përpiqet të përziehet në zgjedhjet amerikane.

“Mendoj se nuk vihet në dyshim se kur një qeveri e huaj përpiqet të ndikojë tek integriteti i zgjedhjeve, ne duhet të marrim masa. Dhe do ta bëjmë një gjë të tillë,” tha presidenti për stacionin radiofonik NPR në një intervistë që u transmetua të premten në mëngjes.

“Disa masa mund të jenë të hapura dhe të diskutuara publikisht, të tjera mund të mos jenë të tilla,” tha presidenti.

CIA ka arritur në përfundimin se hakerë rusë kanë infiltruar në kompiuterat e Partisë Demokrate për të nxjerrë emaile që mund të shkaktonin skandal ose të vinin në pozitë të vështirë kandidaten demokrate Hillary Clinton dhe zyrtarë të fushatës së saj, siç duket me synimin për të ndihmuar rivalin e saj republikan Donald Trump të fitonte në zgjedhjet presidenciale.

Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë thonë se një veprim i tillë nuk mund të ketë ndodhur pa dieninë apo aprovimin e Presidentit Vladimir Putin. Moska i cilëson akuzat “marrëzi qesharake”.

Presidenti Obama tha në intervistën për stacionin NPR se ka ende “një sërë analizash” që po bëjnë agjencitë e zbulimit dhe se ai po pret raportin e tyre përfundimtar për të parë kush ishte i përfshirë dhe cili ishte synimi.

“Por kjo nuk e ndryshon faktin se veprimet ruse krijuan më shumë probleme për fushatën e zonjës Clinton se sa për fushatën e zotit Trump”.

Megjithatë, zoti Trump ka ngritur pyetjen përmes llogarisë së tij në Twitter: “Nëse Rusia apo një organizatë e caktuar ishin pas hakerëve që ndërhynë, përse priti Shtëpia e Bardhë kaq gjatë para se të vepronte? Përse filluan të ankohen vetëm pasi Hillary humbi në zgjedhje?”

Presidenti Obama nuk pranoi të prononcohej nëse mendonte që kjo ndërhyrje i shkaktoi humbjen në zgjedhje zonjës Clinton. Ai tha se ka një numër faktorësh që ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve, por nuk ka diskutim që hakerët patën ndikim.

Ai gjithashtu nuk dha një përgjigje të prerë ndaj pyetjes nëse mendon se fushata e zotit Trump luajti rol në këtë incident të piraterisë kompiuterike, apo vetëm i shfrytëzoi për përfitime politike emailet e publikuara.

Zoti Obama tha se kishte mbetur i habitur nga këmbëngulja e zotit Trump që Rusia nuk ishte pas ndërhyrjes së hakerëve dhe nga qëndrimi i tij pro-rus.

“Një grupim i konsiderueshëm i Partisë Republikane më ka kritikuar vazhdimisht mua se nuk jam treguar i ashpër sa duhet ndaj Rusisë. Disa nga këta njerëz gjatë fushatës mbështetën Donald Trumpin. Kjo lloj mospërputhjeje tregon, së paku në rastin e Rusisë, se qëndrimi i tyre në këtë çështje varet nga pikësynimi politik”.

Ben Rhodes, këshilltar i Presidentit Barak Obama për politikën e jashtme tha për rrjetin televiziv MSNBC: “Nga ato që dimë për mënyrën si operon Rusia dhe si e kontrollon Putini qeverinë kuptojmë se kur flitet për një ndërhyrje kibernetike të këtyre përmasave dhe me kaq ndikim, flitet për nivelet më të larta qeveritare. Në fund të fundit, Vladimir Putini është autoriteti përgjegjës për veprimet e qeverisë ruse”.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest, në komentet për shtyp nënvizoi analizën që paraqitën në tetor agjencitë e zbulimit ku theksonin se “vetëm zyrtarët më të lartë rusë mund të kenë autorizuar këto veprime”. Ai tha se termi “zyrtarë të nivelit më të lartë” që u përdor në raport, ishte vënë për të dërguar një mesazh të qartë. Kjo nuk vihet në dyshim, tha zoti Earnest.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë hodhi poshtë aludimet se po bëhen përpjekje për të deligjitimizuar presidencën Trump, duke thënë se zoti Obama e ka bërë të qartë se është i përkushtuar ndaj një tranzicioni funksional dhe efektiv. Por ai gjithashtu i bëri thirrje presidentit të zgjedhur Trump të mbështesë zhvillimin e një investigimi në mënyrë të hollësishme, transparente dhe jo-politike mbi incidentin me ndërhyrjen në kompiuterat e Partisë Demokrate.

Një nga ndihmësit kryesorë të zotit Trump, Kellyanne Conway hodhi poshtë në një intervistë televizive aludimet e zëdhënësit të Presidentit Obama, Josh Earnest se zoti Trump mund ta ketë ditur gjatë fushatës se rusët kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe se “ndërhyrja e tyre po ndikonte negativisht” në fushatën e zonjës Clinton.

“Është për t’u çuditur,” tha zonja Conway për rrjetin televiziv Fox News. “Të heq mendjen. Ndoshta (Josh Earnest) po përpiqet të gjejë punë si analist politik, pasi të mbarojë punën në Shtëpinë e Bardhë. Është për të ardhur keq që nga podiumi i zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë dëgjohen këto fjalë. Pak a shumë ai po thotë se presidenti i zgjedhur ishte në dieni të këtyre akteve dhe ndoshta i hodhi benzinë zjarrit. Janë komente të papërgjegjshme dhe do të doja të dija nëse shefi i tij, Barak Obama, është i një mendjeje me të,” tha këshilltarja e zotit Trump.

Zëdhënësi Earnest të enjten i mëshoi përsëri reagimit të tij se Donald Trumpi jo vetëm ishte në dieni të ndërhyrjes ruse gjatë fushatës, por edhe e inkurajoi një gjë të tillë.

“Ky është fakt, është i regjistruar nga kamerat se kandidati republikan po i bënte thirrje Rusisë të kryente pirateri kompiuterike ndaj kundërshtares së tij pasi ai besonte se kjo do ta ndihmonte në fushatë,” tha zoti Earnest në konferencën për shtyp të Shtëpisë së Bardhë. “Këto që them nuk janë për të shkaktuar bujë”.

Gjatë konferencës së fundit zyrtare për shtyp, që zoti Trump zhvilloi në korrik, ai iu drejtua hakerëve rusë me thirrjen që të kontrollojnë për të gjetur emailet e fshira nga serveri i zonjës Clinton. Një ditë më pas ai tha se komentet ishin bërë në formën e sarkazmës.

Por zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Earnest tha se sugjerimet e zotit Trump që serveri i zonjës Clinton të sulmohej nga hakerët “mund të jenë tregues se ai ishte në dieni dhe se kishte arritur në përfundimin, bazuar në faktet apo burimet që kishte, se Rusia kishte gisht në këtë akt”.

Zoti Earnest tha të enjten se askush në Shtëpinë e Bardhë, në Kongres apo në agjencitë e zbulimit amerikan nuk mendonin se sugjerime të tilla që Rusia po përpiqej të destabilizonte demokracinë amerikane ishin për të qeshur.

Shtëpia e Bardhë nuk ka thënë se zonja Clinton do të kishte fituar në zgjedhje nëse nuk do të kishin ndërhyrë me pirateri kompiuterike rusët. Por agjenci të shumta zbulimi në Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se Moska mbështeti ndërhyrje kompiterike në sistemin dixhital të Partisë Demokrate që mbështeste fushatën e zonjës Clinton dhe se kishte ndërhyrje edhe në llogarinë kompiuterike të shefit të fushatës së zonjës Clinton, John Podesta, për të ndihmuar zotin Trump të fitonte zgjedhjet.

WikiLeaks, pa përmendur burimin, nxori mijëra emaile të zotit Podesta muajin e kaluar, shumë prej të cilave përmbanin informacion që vinte në pozitë të vështirë fushatën e zonjës Clinton, pasi tregonte përplasje të brendshme mes ndihmësve të saj. Në të njëjtën kohë, nuk u nxorën emaile të fushatës së zotit Trump, megjithëse ka zëra se edhe llogaritë elektronike të Komitetit Kombëtar Republikan ishin sulmuar nga hakerët.

Zoti Trump hodhi poshtë përfundimin e agjencive të zbulimit për përfshirjen e rusëve në këtë pirateri kibernetike, duke e quajtur një konkluzion qesharak. Ai ka thënë se çdo ndërhyrje në sistemin kompiuterik, që kishte lidhje me zgjedhjet, mund të jetë kryer nga Kina, nga Rusia apo nga kushdo tjetër që mund të jetë thjesht një individ që peshon 200kg e futet në kompiuter shtrirë në krevatin e tij”.

XS
SM
MD
LG