Lidhje

Debati i dytë i kandidatëve republikanë


Kandidatët presidencialë republikanë mblidhen nesër në Bibliotekën Presidenciale “Ronald Reagan”, në Kaliforni, për të marrë pjesë në debatin e tyre të dytë televiziv, që këtë radhë do të transmetohet nga kanali CNN. Njëmbëdhjetë kandidatë do të ngjiten këtë herë në skenë, përfshirë zotin Donald Trump, i cili kryeson në sondazhe.

Donald Trump do të vendoset sërish në qendër të vëmendjes gjatë debatit të dytë të republikanëve.

Ai e ka zgjeruar diferencën me të cilën kryeson në sondazhet e opinionit publik, që nga debati i fundit muajin e kaluar, dhe vazhdon të bëjë premtime të guximshme.

“Do të kemi kaq shumë fitore nëse zgjidhem unë, saqë do të mërziteni së fituari. Besomëni!”

Këtë radhë, ai do të përballet me më shumë kritika nga rivalët e tij, ndër të cilët është edhe një tjetër jo-politikan, neurokirurgu Ben Carson.

“Nëse do kisha dëgjuar gjatë jetës time njerëzit që thonë për çdo gjë se nuk bëhet dot, nuk do isha këtu sot duke folur me ju.”

Ish-drejtuesja në biznes, Carly Fiorina, do t’i bashkohet këtë radhë debatit republikan, si një tjetër emër i ri që mund t’i kushtojë kandidatëve më me përvojë, si ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush, i cili ka vazhduar të sulmojë zotin Trump, si dhe ka prezantuar një plan të ri ekonomik.

“Plani im për të gjithë ekonominë, do të sjellë një ringjallje të vërtetë të sektorit privat dhe do të krijojë 19 milionë vende të reja pune.”

Shumë prej rivalëve të zotit Trump shpresojnë të marrin një pjesë të vëmendjes, ndër ta edhe Senatori Ted Cruz, një kundërshtar kryesor i marrëveshjes bërthamore me Iranin.

“Kjo marrëveshje bërthamore me Iranin është katastrofike. Është kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare të Amerikës.”

Rivalët e zotit Trump do të përpiqen ta sulmojnë atë pa zemëruar mbështetësit e tij, thotë analisti Stuart Rothenberg.

“Në këtë pikë, votuesit duan thjesht të shprehin irritimin, zhgënjimin, dhe zemërimin me drejtimin e vendit, dhe në veçanti votuesit republikanë ndaj Presidentit. Prandaj janë duke kërkuar dikë që t’u japë zë, dhe Donald Trump sigurisht që e bën këtë gjë.”

Debati u ofron kandidatëve edhe mundësinë për t’iu afruar më shumë votuesve, thotë analisti republikan Scot Faulkner.

“Do jetë një moment interesant pasi do t’u duhet të përgjigjen menjëherë, ndërkohë që deri tani vetëm kanë përsëritur teza të parapërgatitura.”

Hillary Clinton dhe sfidantët e tjerë demokratë do të zhvillojnë debatin e tyre të parë muajin tjetër.

XS
SM
MD
LG