Lidhje

Senati miraton kandidaturën e Janet Yellen


Senati amerikan e ka konfirmuar zonjën Janet Yellen në postin e kryetares se re të Rezervës Federale, duke e bërë atë një nga figurat më të fuqishme në qarqet ekonomike botërore.

Konfirmimi i saj në Senat u bë me 56 vota pro dhe 26 kundër. Një shumicë e thjeshtë prej 51 votash, ishte e nevojshme për të konfirmuar emërimin e saj nga Presidenti Barak Obama.

Presidenti Barack Obama tha se populli amerikan do të ketë një kampione të fortë e cila e kupton se synimi i politikave financiare është përmirësimi i jetës dhe familjeve të tyre.

Janet Yellen do të jetë gruaja e parë në krye të Rezervës Federale, e cila u krijua 100-vjet më parë. Ajo zëvendëson zotin Ben Bernanke, të cilit në fund të janarit i skadon mandati tetë-vjeçar.

Kreu i Rezervës Federale shpesh ka ndikuar në vendimet ekonomike botërore. Ekonomistët parashikojnë se 67-vjeçarja Yellen, aktualisht nënkryatare e Rezervës Federale, do të vazhdojë shumicën e politikave të zotit Bernanke. Ata të dy kanë bërë thirrje për një përfundim gradual të mbështetjes së drejtpërdrejtë të ekonomisë amerikane nga banka qendrore dhe vazhdimin e normave të ulëta të interesit.

Ngjitja e Janet Yellen nga nënkryetare në kryetare të Rezervës Federale është historike, por mbështetësit e saj në Senat nuk nënvizuan gjininë e saj përpara votimit të djeshëm. Përkundrazi , ata theksuan kualifikimet e saj dhe mënyrën e të menduarit që ajo do të sjellë në punë. Senatori demokrat Sherrod Brown tha se zonja Yellen do të punojë për të mbrojtur amerikanët e zakonshëm nga problemet e një sistemi financiar të lirë dhe të pakontrolluar.

"Në sistemin e sotëm financiar të ndërlikuar, është më e rëndësishme se kurrë që të kemi rregullatorë të fortë si guvernatorja Yellen që mund të njohin kërcënimet e reja ndaj stabilitetit ekonomik , dhe të cilët nuk kanë frikë të veprojnë, kur ata zbulojnë abuzimet që vënë konsumatorët dhe punëtorët amerikanë në rrezik."

Janet Yellen merr kryesimin ndërkohë që Banka Qendrore ka filluar të tërhiqet nga një program shumë vjeçar i stimulimit të ekonomisë pas recesionit të vitit 2008. Në seancën e konfirmimit të saj vitin e kaluar, zojna Yellen mbrojti programin duke thënë se ai është i nevojshëm dhe i dobishëm. Kritikët e saj në Senat thonë se ajo është mbështetëse e politikave të stimulimit të cilat mund të rrisin inflacionin dhe dëmtojnë fuqinë blerëse të amerikanëve. Senatori republikan Chuck Grassley para se të votonte kundër kandidaturës së zonjës Yellen tha:

"Ne kemi nevojë për një kryetar të fokusuar në një dollar të fortë dhe inflacion të ulët. Historia tregon se mos frenimi i politikave të stimulimit rrezikon krijimin e flluskës ekonomike dhe hiper- inflacionit."

James Glassman, ekonomist në gjigandin bankar JPMorgan Chase, thotë se Yellen do të sjellë një vazhdimësi në Rezervën Federale.

"Mendoj se mënyra se si Janet Yellen do të merret me politikat në Rezervën Federale do të jetë shumë e ngjashme me atë që bëri Ben Bernanke. Veprimet e saj do të varen nga ritmi i përmirësimit të ekonomisë dhe tregut të punës si dhe aftësia e Rezervës Federale për rikthyer inflacionin në nivelin dy përqind, i preferuar nga shumica e ekonomistëve."

Ekonomisti Glassman parashikon se Yellen do të vazhdojë përpjekjet e zotit Ben Bernanke për ta bërë Rezervën Federale më transparente dhe më të hapur për publikun amerikan.
XS
SM
MD
LG