Lidhje

SHBA akuzojnë Sirinë për djegien në krematorium të të burgosurve


Shtetet e Bashkuara e akuzuan të hënën Sirinë për vrasjet e përditshme masive të të burgosurve dhe djegien e trupave të tyre në krematoriume të mëdha jashtë kryeqytetit Danask.

Departamenti i Shtetit tha se çdo ditë rreth 50 të burgosur varen në burgun Sejdnaja dhe se më pas regjimi i Presidentit Bashar al-Assad i çon trupat në krematorium, me synimin për të mbuluar faktin e vrasjeve masive.

Diplomati kryesor amerikan për Lindjen e Mesme, Stuart Jones, tha se regjimi i Damaskut “ka kryer një tjetër mëkat”, me marrjen e ndihmës ushtarake të Rusisë dhe Iranit, dy vende që kanë mbështetur qeverinë e Assadit në luftën 6-vjeçare kundër grupeve të ndryshme rebele të opozitës. Gjatë këtyre viteve janë vrarë rreth 400 mijë njerëz.

Zoti Jones nuk e akuzoi Moskën për përfshirje në aktin e krematoriumit, duke thënë se Departamenti i Shtetit nuk i kishte paraqitur fakte për vrasje masive zyrtarëve rusë.

Por ai tha se Shtetet e Bashkuara “bisedojnë vazhdimisht me Rusinë lidhur me problemin që ka krijuar mosdënimin prej tyre të vrasjeve në Siri dhe toleranca e tyre ndaj krimeve në Siri. Ne i kemi bërë thirrje qeverisë ruse që të mbajë përgjegjës regjimin sirian për këto krime,” - tha zoti Jones.

Presidenti Donald Trump muajin e kaluar urdhëroi një sulm me raketë në Siri, pas akuzave se regjimi i Damaskut ka përdorur armë kimike ndaj civilëve.

I pyetur në se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e një sulmi të ri për të shkatërruar krematoriumin, zoti Jones ju përgjigj se siç ka thënë zoti Trump, Shtetet e Bashkuara “nuk kanë për të dhënë sinjale për veprimet e tyre”. Ne jemi duke folur për këto fakte, për t’ia bërë ato të njohura komunitetit ndërkombëtar, që ne shpresojmë se do të ushtrojë presion ndaj regjimit sirian, që ai të ndryshojë sjelljen.”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG