Lidhje

Ç'mund të sjellin bisedimet me talebanin?


Zhvillimet e fundit në Afganistan pritet të kenë ndikim afatgjatë

Shtetet e Bashkuara synojnë të fillojnë bisedime me talebanin në Doha të Katarit. Por vendimi amerikan nuk shihet me sy të mirë nga aleati i vjetër i Uashingtonit, Presidenti afgan Hamid Karzai, i cili ka njoftuar se do të pezullojë negociatat me Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje dypalëshe të sigurisë. Le t'u hedhim tani një vështrim pasojave afatgjata të këtyre zhvillimeve.

Fillimi i bisedimeve të drejtpërdrejta midis Shteteve të Bashkuara dhe talebanëve është rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të Uashingtonit dhe disa prej aleatëve të tij për ta ulur këtë grup në tryezën e bisedimeve. Por tani që bisedimet janë njoftuar, çfarë duhet të pritet prej tyre? Ja ç'thotë Andrew Wilder i Institutit Amerikan të Paqes.


"Nuk parashikoj që në disa muaj të kemi një zgjidhje të plotë të konfliktit që ka vazhduar për tre dekada të tëra në Afganistan. Por sigurisht, të bisedosh është më mirë sesa të luftosh apo sesa të bisedosh ndërsa luftimet vazhdojnë. Pra, të paktën tani kemi një proces formal të fillimit të negociatave dhe ky është një hap pozitiv."

Në qoftë se ky është një hap pozitiv drejt paqes, atëherë si shpjegohet reagimi i ashpër i Presidentit afgan Hamid Karzai? Robert Lamb është ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.


"Sepse, çfarë do të nënkuptonte kjo për qeverinë e Afganistanit në qoftë se ajo nuk është e përfshirë në aspektin më themelor të qeverisjes, që është paqja dhe siguria në vend? Populli afgan do ta ketë të vështirë të besojë në legjitimitetin dhe efikasitetin e qeverisë së tij".

Kërcënimi i zotit Karzai për të anuluar bisedimet e sigurisë me Shtetet e Bashkuara vjen vetëm një ditë pasi forcat afgane zyrtarisht morën rolin drejtues në sigurinë e vendit. Por kjo nuk do të thotë se qeveria afgane nuk do të ketë nevojë për mbështetjen e SHBA për të ruajtur sigurinë. Ekspertët besojnë se herët a vonë, qeveria afgane do t'i rifillojë këto bisedime.


"Pa një marrëveshje dypalëshe për sigurinë, Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të qëndrojnë në Afganistan përtej vitit 2014. Për mua nuk është e qartë nëse zoti Karzai do të jetë në gjendje t'i anulojë fare këto bisedime. Prandaj besoj se pasi të ketë kaluar kjo valë, ai do të kthehet në tryezë dhe ne do t'i vazhdojmë bisedimet. "

Pavarësisht se kanë rënë dakord për të negociuar me Shtetet e Bashkuara, talebanët vazhdojnë të ndërmarrin sulme kundër trupave amerikane dhe të NATO-s. Disa ekspertë thonë se kjo mund të jetë një taktikë e tyre.


"Mendoj se shtimi i dhunës që kemi parë, mund të ketë qenë pjesë e përpjekjeve të talebanëve për të forcuar pozitat e tyre para se të shkojnë në tryezën e bisedimeve për të thënë:"Ja, ne ende jemi të aftë t'ju krijojmë probleme, prandaj duhet të na merrni më seriozisht në procesin negociues.'"

Ekspertët besojnë se në kuptimin afatgjatë, në Afganistan janë të nevojshme paqja, marrëveshjet e sigurisë dhe bisedimet mes SHBA dhe talebanëve për të mbështetur një proces të fuqishëm politik.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG