Lidhje

SHBA dhe Kina, qëndrime të ndryshme për Korenë e Veriut


Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për t’u siguruar që Koreja e Veriut t’i japë fund programit të vet bërthamor, por bisedimet e sotme të nivelit të lartë treguan se Pekini dhe Uashingtoni nuk bien dakord lidhur me mënyrat për t’iu përgjigjur provës bërthamore të kohëve të fundit: me ndëshkime, apo me sinjale të tjera të mosmiratimit.

Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u takuan për më tepër se pesë orë në kryeqytetin kinez, shumë më gjatë nga sa ishte planifikuar. Më pas zyrtari kinez tha se vendi i tij është i përgatitur për të mbështetur një rezolutë të re të OKB-së, e cila të kundërshtojë programin bërthamor të Phenianit. Por ai nuk përmendi ndëshkime të tjera dhe tha se çdo veprim ndërkombëtar kundër Koresë së Veriut nuk duhet të provokojë tensione të reja.

Sekretari Kerry tha se duhet të arrihet konsensus për një rezolutë të fuqishme të OKB-së, por ai pranoi se “parametrat” e një deklarate të tillë nuk janë formuluar ende. Zoti Kerry tha se ndaj Iranit që nuk ka armë bërthamore janë vendosur më tepër sanksione se sa ndaj Koresë së Veriut, e cila ka armë bërthamore.

Të dy zyrtarët thanë se kishin diskutuar edhe për mosmarrëveshjet territoriale mbi Detin e Kinës Jugore, por nuk përmendën ndonjë marrëveshje lidhur me hapat që duhen marrë për pakësimin e tensioneve lidhur me këtë çështje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG