Lidhje

SHBA: Skandalet nxjerrin në pah shkeljet etike në ushtri


Disa skandale të kohëve të fundit ku janë përfshirë anëtarë dhe ish pjesëtarë të ushtrisë amerikane kanë nxitur Sekretarin e Mbrojtjes Leon Panetta që të urdhërojë një rishikim të programeve të etikës në ushtri.

Sërvitja ushtarake vazhdon në këtë bazë të forcës ajrore amerikane në Teksas. Kjo bazë ende po merr veten nga një prej skandaleve më të rënda seksuale në ushtri. Një hetim i forcës ajrore amerikane zbuloi se 48 studente ishin sulmuar sekseualisht nga instruktorët e tyre gjatë periudhës tetor 2010-qershor 2011. Më shumë se 25 oficerë dhe instruktorë u hetuan dhe shumë prej tyre përballen me akuza penale.

Çështja është mes një sërë çështjesh ku oficerë të ushtrisë amerikane janë hetuar, janë ulur në gradë ose janë pushuar për sjellje të ulët dhe të parregullt seksuale gjatë viteve të kaluara. Gjenerali i forcës ajrore amerikane Edward Rice thotë se ushtria duhet të jetë në krye të ndreqjes së këtij problemi.

“Ky është një problem dhe një sfidë për gjithë shoqërinë. Ne kemi standarde shumë të larta në ushtri. Fakti që ky është një problem i madh në shoqëri, kjo nuk na justifikon që të mos të ngrihemi për këtë çështje dhe të bëjmë më shumë se ç’është bërë deri më tani”.

Skandali në forcën ajrore vjen ndërsa konandanti i NATO-s në Afganistan, gjenerali John Allen, po hetohet për shkëmbim të emaileve të papërshtatshme me një grua në Florida.

Gjenerali Allen nisi të hetohet mbasi FBI-ja zbuloi se kreu i Shërbimit Inteligjent, gjenerali në pension David Petraeus, kishte një marrëdhënie jashtëmartesore. Skandali e detyroi atë që të jepte dorëheqjen si drejtor i CIA-s.

Koloneli në pension i forcës ajrore Chuck Summers thotë se vendimarrjet e këqija dhe teknologjia bënë që të zbuloheshin çështje të tilla.

“Dikur njerëzit duhet t’ju fotografonin diku, por tani me kompiuterat dhe telefonat iteligjentë mund të gjendet çdo gjë. Pra jeni i çmendur nëse nisni një flirt me kompiuter apo telefon inteligjent”.

Së fundmi, Gjenerali Jeffrey Sinclair u akuzua për tradhëti bashkëshortore dhe sulm seksual ndaj disa vartëseve të tij. Edhe ish kreu i komandës amerikane në Afrikë, gjenerali William “Kip” Ward, u ul në gradë pasi shpenzoi në mënyrë të paligjshme 80 mijë dollarë nga fondet qeveritare.

Koloneli Summers thotë se ai është i shqetësuar nga drejtues ushtarakë që abuzojnë me autoritetin e tyre.

“Mendoj se komandatët duhet të kuptojnë se sa pushtet kanë dhe se njerëzit janë të varur prej tyre. Njerëzit duan të bien në sy për mirë tek komandatët e tyre sepse kështu ecin përpara. Por ata duhet të jenë të ndërgjegjshëm se ka njerëz që mezi presin që ata të gabojnë dhe një gabim i vogël i ekspozon ata përballë kritikave dhe talljes”.

Analistët thonë se një sjellje e dobët nga një numër i vogël titullarësh të ushtrisë kanë një ndikim negativ tek ushtria amerikane dhe errësojnë një prej institucioneve më të respektuara të Amerikës.
XS
SM
MD
LG