Lidhje

Nju Jork, shtohet numri i viktimave nga vapa


Vera në qytetin e Nju Jorkut është aq e nxehtë për disa ditë sa mund të ndjehet ajri i nxehtë qp ngrihet nga betoni i trotuareve.
Tani shkencëtarët parashikojnë se gradualisht temperaturat e larta gjatë dekadave të ardhshme mund ta bëjnë verën në këtë qytet vdekjeprurëse.

Radley Horton, shkencëtar i klimës dhe profesor në Universitetin e Kolumbias thotë se gjatë shekullit të kaluar, temperaturat mesatare janë rritur më shumë se 0.15 gradë celsius. Ndërkohë që për disa njerëz kjo rritje nuk duket shumë e rëndësishme, për të tjerët kjo thekson dallimin mes jetës dhe vdekjes. Zoti Horton thotë se deri në vitin 2020, vdekjet e lidhura me ngrohjen globale mund të rriten në nivel prej 20 për qind në qytetin e Nju Jorkut.

“Me rritjen e temperaturave rritet edhe numri i vdekjeve. Studimi ynë sugjeron se në bazë të skenarit më të keq nëse vazhdon rritja e çlirimit të gazeve serrë për shkak të zhvillimit të shpejtë ekonomik, numri i njerëzve që vdesin nga vapa në qytetin e Nju Jorkut do të dyfishohet deri në vitet 2080. Tani vapa është një nga shkaktarët kryesor të vdekjeve në SHBA dhe studimet tona tregojnë se një ndryshim i vogël në temperaturat mesatare mund të dyfishojë ritmin e vdekjeve në qytet”.

Në studimin e tyre, shkencëtarët kanë krijuar 16 medele të ndryshimeve klimatike për të tashmen dhe të ardhshmen. Në secilin rast, ata kanë konkluduar se ngrohja e planetit është një lajm i keq për qytetin e Nju Jorkut, dhe në rastin më të keq mund të çojë në një rritje prej 90 përqind të vdekshmërisë pas 70 vjetësh.

Ndërsa temperaturat e larta nënkuptojnë dimëra më të ngrohtë, Patrick Kinney, profesor i mjekësisë në Universitetin e Kolumbias, thotë se rritja e numrit të viktimave në stinën e verës hedh hije mbi efektet pozitive gjatë muajve të ftohtë të dimrit.

“Përfitimet nga rritja e temperaturave në dimër nuk janë më të rëndësishme se sa parandalimi i rritjes së numrit të vdekjeve që ndodhin gjatë verës. Pra, megjithëse mund të ketë përfitime nga ngrohja e motit në stinën e dimrit, fakti që ajo shoqërohet me rritjen e numrit të vdekjeve gjatë verës është negativ”.

Qyteti i Nju Jorkut në tre vitet e fundit ka regjistruar temperatura të larta mbi 37 gradë celsius. Parashikimet për nivelin e temperatuarave në të ardhmen janë të ndryshme, por shkencëtarët presin një rritje mesatare prej 0.15 deri në 0.16 celsius në 2050, dhe deri në 0.18 gradë në vitin 2080.

Sipas Agjencisë Amerikane të Hapësirës, 2012 ishte viti më i ngrohtë i regjistruar në mbarë globin dhe u shoqërua me shpërthimin e mijëra zjarreve. Australia u përballë me disa nga zjarret më të rënda në histori. Kushte ekstreme të thatësirës gjithashtu janë raportuar në nivel global. Për këtë arsye, zoti Kinney thotë se ky studim është i rëndësishëm për zyrtarët e shëndetësisë kudo.

“Ne studiuam Nju Jorkun sepse kishim të dhëna të mira për të, por në Moskë kishte një valë nxehtësie në vitin 2010 që shkaktoi vdekjen e mijëra njerëz dhe në Evropë në gusht të vititi 2003 ka patur një valë të nxehti që shkaktoi rreth 70 mijë të vdekur. Pra, rritja e temperaturave nuk është një fenomen me të cilin po përballet vetëm Nju Jorku dhe Shtetet e Bashkuara por në të vërtetë ky është një fenomen global”.

Studimi parashikon se shumica e rritjes së vdekjeve do të ndodh në muajt maj dhe shtator sepse temperaturat gjatë këtyre muajve pritet të jenë të njejta me ato të korrikut dhe gushtit në hemisferën veriore.

Studiuesit u sugjerojnë qyteteve të gjejnë mënyra për të ndihmuar njerëzit të përballojnë rritjen e temperaturave, dhe thekson se Nju Jorku tashmë është duke bërë një punë të mirë në këtë drejtim. Një nga mënyrat për pakësimin e efektit të rritjes së temperaturave është mbjellja e pemëve, krijimi i hapësirave të gjelbëra dhe ndërtimi i çative që reflektojnë dritën e diellit.

Ekipi i studiuesve thotë se ndërkohë që shoqëria vazhdon të trajtojë ndikimet e ndryshimeve klimatike, fokusi në këto strategji mund të ndihmojë në shpëtimin e jetës së njerëzve.
XS
SM
MD
LG