Lidhje

Vital Voices mbështet gratë në gjithë botën


Organizata joqeveritare u themelua si vazhdim e një nisme të ish-zonjës së parë Hillary Clinton

Të drejtat e gruas mbeten një nga sfidat më të mëdha në botë. Gratë në shumë vende ende diskriminohen dhe luftojnë për të drejtat njerëzore bazë. Vital Voices me qendër në Shtetet e Bashkuara është një organizatë jo-qeveritare që mbështet gratë në pozita drejtuese dhe biznesmene në të gjithë botën. Vital Voices Global Partnership e zhvillua nga nisma e suksesshme për demokraci Vital Voices, e themeluar nga Hillary Clinton.

Gratë përbëjnë 51 për qind të popullsisë. Megjithatë atyre vazhdimisht u mohohen të drejtat. Gratë janë të detyruara të luftojnë për të drejtat bazë në shumë pjesë të botës. Një nga organizatat që punojnë për fuqizimin e gruas në botë është Vital Voices Global Partnership që i ndihmon gratë me zhvillimin e tyre në drejtim të biznesit dhe ekonomisë. Po ashtu është në vijën e parë të frontit të luftës kundër trafikut njerëzor dhe dhunës kundër grave dhe vajzave. Alyse Nelson është presidente e Vital Voices Global Partnership.

“Objektivi i Vital Voices është investimi tek gratë për të përmirësuar botën. Bota po hap sytë para realitetit se gratë janë një forcë e jashtëzakonshme udhëheqjeje. Ato kanë një mënyrë të ndryshme drejtimi. Ato gjithashtu e kanë të natyrshme aftësinë për të gjetur elementë të përbashkët dhe për të zgjatur dorën përtej atyre vijave që na ndajnë si shoqëri”.

Nisma për Demokraci Vital Voices u themelua në vitin 1997 nga Hillary Clinton që atëherë ishte zonjë e parë dhe ish-sekretarja e shtetit Madeleine Albright për të nxitur përparimin e grave si një objektiv të politikës së jashtme amerikane. Këto përpjekje çuan në themelimin e Vital Voices Global Partnership si një organizatë joqeveritare në qershor të vitit 2000. Melanne Verveer, një nga themelueset e Vital Voices dhe Ambasadore për Çështjet Globale të Gruas thotë se ka pasur përparim, por mbetet shumë për të bërë.

“Në përgjithësi shohim se ka më shumë përparin në qasjen në arsim dhe shëndetësi. Kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen ekonomike arritjet lënë për të dëshiruar. Dhe pjesëmarrja politike duket të jetë sfida më e madhe. Sigurisht që kur gratë përparojnë, gjithë shoqëria përparon. Asnjë vend nuk mund të ecë përpara nëse gjysma e popullsisë së tij lihet pas”.

Një nga anëtaret e bordit të Vital Voices është stilistja e njohur Diane von Furstenberg.

“Unë kam besim të plotë tek Vital Voices. Modeli im ishte nëna ime sepse gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur ajo ishte 20 vjeç, ajo ishte rob lufte dhe ishte në kampin e në Aushvic-it. Ajo më mësoi se frika nuk është alternativë”.

Diane von Furstenberg thotë se ajo ka besim të plotë në forcën e grave.

“Kurrë nuk kam takuar ndonjë grua të dobët. Nuk ekziston një grua e tillë. Por ndonjëherë ato nuk e shfaqin, për shkak të burrit, ose vëllait, fesë, apo rrethanave. Ose thjesht janë të pasigurta dhe nuk e shfaqin forcën. Por kur godet tragjedia, forca e gruas gjithmonë del në pah. Kështuqë mendoj se është më mirë të shfaqet para se të ndodhë tragjedia”.

Deri sot, organizata Vital Voices ka punuar me 12 mijë gra në 144 vende të botës nga Evropa Qendrore dhe Lindore, në Afrikë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Këto gra janë kthyer në komunitetet e tyre për të trajnuar dhe për të marrë në patronazh 500 mijë gra dhe vajza të tjera.

“Kemi shumë arritje, por ka ende gra në botë të cilave çdo ditë u mohohet e drejta e shprehjes”.

Vital Voices ishte përqendruar në fillim tek gratë e ish-Bashkimit Sovjetik për të zhvilluar aftësitë e tyre drejtuese. Që atëherë ka vendosur një prani të fortë në Irlandën e Veriut, Amerikën e Jugut dhe sot mbulon gjithë globin.
XS
SM
MD
LG